Podujevë – Fondacioni “Shqiptarët për Shqiptarët” ka ofruar një kontribut të rëndësishëm për Këshillin e Bashkësisë Islame (KBI) në Podujevë, duke dhuruar një automjet të tipit Volkswagen Caddy. Automjeti do të shërbejë për nevojat operative të KBI-së, duke ndihmuar në përmbushjen e detyrave dhe shërbimeve ndaj komunitetit.
Dorëzimi i automjetit u krye nga z. Sylejman Rrahmani, përfaqësuesi i Fondacionit për Kosovë, ndërsa pranimin e bëri kryetari i KBI-Podujevë, Mr. Mensur Hoti. Gjatë ceremonisë, Këshilli i Bashkësisë Islame falënderoi Fondacionin dhe përfaqësuesit e tij për donacionin e çmuar dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj KBI-së dhe komunitetit në përgjithësi.
“Ky automjet do të na ndihmojë në mënyrë të dukshme në kryerjen e detyrave tona të përditshme dhe në shërbimin ndaj qytetarëve,” tha kryetari Mr. Hoti, duke shprehur mirënjohjen e tij ndaj Fondacionit dhe z. Lulzim Rama për kontributet e tyre të vazhdueshme.
Ky donacion është vetëm një prej iniciativave të shumta të Fondacionit “Shqiptarët për Shqiptarët” për të mbështetur komunitetet dhe institucionet në Kosovë, duke përforcuar solidaritetin dhe ndihmën për nevojat lokale./Tv Llapi







