Gazetari Kreshnik Gashi ka thënë se kryeorganizatori i sulmit terrorist në Banjska Radojciq ka arritur të hyjë dhe të dalë nga Kosova në tri raste të ndara pa u arrestuar.
Në një rast tjetër, Gashi kujtoi se Radojçiq ishte në gjendje të përcillte një mesazh pa pengesa dhe më pas u largua nga Kosova pa u kapur.
“Milan Radojçiqi deri tani ka hyrë tri herë në territorin e Kosovës, ka bërë parada dhe është larguar dhe nuk është arrestuar. Në njërin rast është larguar prej pikës kufitare dhe askush nuk është arrestuar për lirimin e tij. Në rastin e dytë, Radojçiqi është futur në Leposaviç dhe kërkush nuk e ka penguar, ka dhënë mesazh dhe është arratisur prej Kosovës. Rasti i tretë, të paktën në atë që kemi parë në sulmin e Banjskës”, ka deklaruar Gashi në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit.