Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Nju-Jork për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do të mbahet sot, më 8 prill 2025, në orën 15:00 sipas kohës lokale në Nju-Jork (21:00 në Kosovë).
Ministria e Jashtme ka njoftuar se në këtë seancë do të shqyrtohet raporti periodik i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, për zhvillimet në Kosovë.
“Ministrja Gërvalla do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës, duke paraqitur të arriturat e vendit, sfidat aktuale dhe përparimet në fusha të ndryshme, si sundimi i ligjit, ekonomia dhe reformat institucionale”, thuhet në njoftim. /Zëri