Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka quajtur spekulime raportimet për përfshirjen e ambasadorit, Martin Berishaj në dallavere me rrymë.
Siç thotë ajo është ‘tepruar’ me këto pretendime.
“Nuk ka asgjë deri sot për ambasadorin Berishaj, por veç fushata denigruese. Në rastin e ambasadorit Berishaj është tepruar, ata që i kanë këto pretendime le të na sjellin faktet. Berishaj ka shkuar është paraqitur në prokurori dhe në komisionin hetimor parlamentar”, shtoi kryediplomatja kosovare.
Por, që ndryshe nga ajo, Nagip Krasniqi ia ka konfirmuar Dejona Mihalit përfshirjen e Martin Berishajt në dallavere me rrymë.
Në komunikimet që janë publikuar ditët e fundit ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik. Ato, ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.
Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.
Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se“pak a shumë është i vërtetë”./Insajderi