Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq tha sot se është jashtëzakonisht e rëndësishme që serbët në Kosovë të mbeten të bashkuar rreth një organizate politike, që të flasin me një zë dhe të kenë një agjendë, transmeton Paparaci.
Gjuriq, duke folur për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt në Kosovë, tha se për më shumë se një dekadë ata janë përpjekur që serbët të mblidhen në një vend në Kosovë dhe të formojnë një organizatë të fortë politike “në luftën për liri, demokraci dhe drejtësi” dhe theksoi se “Lista serbe përfaqëson pikërisht këtë”.
“Me kalimin e kohës, me kalimin e viteve ka ndryshuar liderët e saj, por ideja që serbët në kushte të vështira duhet të flasin me një zë, se shteti duhet t’i mbështesë fuqishëm dhe se duhet të kemi një agjendë të fortë ndaj Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare, mbetet e njëjtë”, tha Gjuriq për RTS.







