Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në një lokal në Mitrovicë, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, një person i moshës së mitur ka arritur të vjedhë pajisje teknologjike nga ky lokal në rrugën “Nexhip Dragaj”, që kapin vlerën e rreth 10 mijë eurove.
Pronari i lokalit e ka denoncuar rastin në Polici dhe ka raportuar se pajisjet e vjedhura i dyshuari i ka nxjerrë në shitje online.
Si rezultat i raportimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe e ka arrestuar të dyshuarin, e moshës 16-vjeçare.
Burimet e njëjta kanë bërë me dije se i mituri e ka pranuar veprën që ka kryer dhe ka deklaruar se pajisjet që kishte vjedhur i ka shitur.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.