Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar rreth lajmit për vendimin e arbitrazhit për pronësinë e Hotelit Grand.
Ajo ka thënë se pas këtij vendimi, nuk ekziston asnjë dëshmi që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi hotelin, por ka shtuar se shteti obligohet t’ia kthejë paratë që i kishte dhenë Pacolli.
Republika e Kosovës, sipas Vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi Grandin. E vetmja gjë për të cilën obligohet Republika e Kosovës, është kthimi i vlerës monetare të cilën Pacolli ia kishte dhënë AKP-së në emër të privatizimit. Edhe pse ai nuk ishte palë në procedurë, AKP kishte pranuar mjetet e tij. Këto tani ne detyrohemi t’i kthejmë”, ka thënë Haxhiu.
“Për shkak të hajnisë 20 vjeçare nëpër institucione shtetërore, paguajmë pasoja ende. Por këto janë të fundit. Pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojmë askujt. Prandaj Grandi mbetet i Kosovës e i qytetarëve të saj”, ka thënë ajo
Behgjet Pacolli ka njoftuar se kompania e tij “Mabco Construction Int”, ka fituar arbitrazhin në rastin e Hotelit Grand ndaj shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë se qeveria e Kosovës tani duhet të rikthejë shumën e paguar nga kompania e tij për një objekt “që, për shkak të refuzimit për të paguar haraç, nuk iu njoh kurrë e drejta e pronësisë, megjithëse pagesa ishte kryer në kohë (në vitin 2006)”.