Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar 27 vjetorin e masakrës së Studenicës në Istog dhe masakrën e Llashticës në Gjilan.
“Më 13 prill, në Studenicë të Istogut, forcat serbe ekzekutuan dhjetë civilë të pafajshëm. Prej tyre ishin nëntë anëtarë të familjes Lipaj dhe një anëtar i familjes Zeqiri. Mes tyre ishin katër vajza nën moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, katër gra dhe dy burra, jetë të ndërprera mizorisht në prag të së ardhmes së tyre”, ka thënë kryetarja Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se Llashtica e Gjilanit përjetoi një varg krimesh që lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e banorëve të saj.
“Po në ato ditë prilli, nga 13 deri më 30 prill, Llashtica e Gjilanit përjetoi një varg krimesh që lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e banorëve të saj. Forcat serbe vranë civilë të pambrojtur pa dallim moshe, nga foshnjat dhe fëmijët deri te më të moshuarit, duke shpalosur edhe një herë fytyrën e vërtetë të dhunës së ushtruar ndaj popullsisë sonë civile”, ka theksuar kryetarja e Kuvendit.
Sipas Haxhiut, Studenica dhe Llashtica mbeten kujtesë e përhershme e dhimbjes sonë dhe e sakrificës së madhe mbi të cilën u ngrit liria e Kosovës.







