Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë që të reagojnë sa më parë për vrasjen e grave në Kosovë. Haxhiu tha se këto vrasje janë “armiku ynë i brendshëm me rrezik të madh”.
“Është brengosëse dhe tejet alarmante që e shohin dhunën si mjet të rëndomtë në tejkalimin e problemeve, të cilat tashmë shpesh herë po përfundojnë me fatalitet, pra me vrasjen e grave nga burrat e tyre apo nga ish-bashkëshortët. Ky fenomen është armiku ynë i brendshëm me rrezik të madh. Këto sjellje barbare dhe këto akte monstruoze, shkatërrojnë jo vetëm jetën e viktimave por edhe familjet e tyre por edhe të shoqërisë. Nga viti 1999 që prej atëherë ku me entuziazëm po prisnim ngritin e Kosovës pas çlirimit e deri më sot, Kosova shënon 99 gra të vrarë nga burrat”, ka thënë Haxhiu.
Ajo, në një konferencë për media, ka deklaruar se fenomeni i dhunës në familje dhe femicidi është bërë shumë i theksuar në vend.
“Fatkeqësisht është tejet serioze gjuha e urrejtjes që qytetarët i përdorin në rrjetet sociale. Njësoj kishin gjuhë të urrejtjes edhe para katër dite edhe sot kemi paragjykimeve të viktimave. Bej thirrje që sërish mund të kritikohem nga institucionet por bëj thirrje me kujdes të veçantë të monitorohet kjo gjuhe që po përdoren në rrjetet sociale. Ndaj këtyre fenomeneve nuk mund të jem spektator, andaj me urgjencë duhet të veprojmë”, u shpreh Haxhiu.







