Që nga data 8 shtator i këtij viti, në Burgun e Beogradit po mbahet padrejtësisht Hazir Haziri, i njohur nga të gjithë llapjanët si Zogu. Ai akuzohet kinse për vrasjen e një qytetari serb në Podujevë gjatë vitit 1999.
Mirëpo, këto dyshime të ngritura pas 25 vitesh janë rrëzuar plotësisht nga deklarata e vetë bashkëshortes së serbit të vrarë, e cila ka mohuar çdo lidhje të Hazirit me ngjarjen.
Megjithatë, pavarësisht kësaj dëshmie thelbësore dhe mungesës totale të provave, Hazir Haziri, tashmë 77-vjeçar dhe me gjendje të rënduar shëndetësore, vazhdon të mbahet në paraburgim, me arsyetimin absurd se “duhet kontrolluar celulari i tij”.
Është e pakuptimtë se si është bërë arrestimi i tij, kur dihet se Haziri ka kaluar disa herë përmes territorit të Serbisë para se të ndodhte ndalimi i fundit, pa qenë asnjëherë i kërkuar apo i dyshuar.
Kushdo që e njeh e di mirë se Hazir Haziri është njeri i qetë, i sjellshëm dhe paqësor. Këtë e dëshmojnë dhjetëra ish-nxënës dhe kolegë të tij, sepse ai për dekada punoi me nder si mësues dhe arsimtar në shkollat e Llapit.
Arrestimi i tij ka shkaktuar indinjatë dhe revoltë të madhe, sidomos për faktin se Haziri ishte pjesë e nismave paqësore dhe kurrë ndonjëherë i përfshirë në radikalizëm apo dhunë.
Ky rast, fatkeqësisht, po shfrytëzohet në një klimë ku raportet Kosovë–Serbi mbeten të ngrira dhe ku mungon çdo mekanizëm funksional komunikimi ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve.
Për një të moshuar, të sëmurë dhe të pafajshëm, situata po rrezikon të kthehet në tragjedi. Prandaj, ndërhyrja e menjëhershme e Bashkësisë Ndërkombëtare, përfshirë mekanizmat e saj për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, është e domosdoshme.
Po ashtu, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në Gjenevë duhet të angazhohet pa vonesë për të monitoruar gjendjen e tij dhe për të garantuar trajtim human dhe të drejtë.
Rasti i Hazir Hazirit – i cili po mbahet gati katër muaj në burg pa prova, është një sinjal i rrezikshëm dhe një paralajmërim i qartë se Serbia, edhe në shekullin XXI, vazhdon të luajë rolin e xhandarit të Ballkanit, duke instrumentalizuar drejtësinë për motive politike.
Liria e tij është jo vetëm çështje individuale, por një test për drejtësinë, për humanizmin dhe për seriozitetin e institucioneve ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Shkruan Arif Ejupi







