Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mungesë sinqeriteti dhe mosmbajtje të fjalës në raport me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta sinjali.
Haziri tha se Kurti e ka fyer publikisht LDK-në gjatë gjithë fushatës zgjedhore, duke e quajtur atë “mizë” dhe duke përdorur ofendime të tjera.
“Kurti nuk njeh sinqeritet në politikë. Politika nuk është vetëm interes, por edhe besim. LDK është aset i kësaj Republike dhe nuk është turp të thuhet,” tha Haziri te “DPT te Fidani”.
Ai shtoi se Kurti është i vetmi politikan që nuk ka rënë në gjunjë para varrit të presidentit historik, Ibrahim Rugova, dhe se edhe kur e bëri këtë gjest, e shoqëroi me “humor të zi”.
“Kurtit ia kam kërkuar publikisht të dalë para varrit të Rugovës me rënë në gjunjë sepse është i vetmi që s’ka rënë në gjunjë. Dhe kur e bëri, e shoqëroi me tallje,” përfundoi Haziri.