https://www.facebook.com/visionmediaent/ https://www.facebook.com/visionmediaent/ https://www.facebook.com/visionmediaent/
Visionpress.info
  • Lajmet e Fundit
    • Kosove
    • Shqipëri
    • Rajoni & Bota
    • Moti
  • Covid-19
  • Sport
  • Showbiz
  • Shëndeti
  • Të tjera
  • Tech & Auto
  • Video
No Result
View All Result
Visionpress.info
No Result
View All Result

Historia e familjes Lala të Gllamnikut dhe gjurmët e saj në trashëgiminë historike e materiale të Llapit

Historia e familjes Lala të Gllamnikut dhe gjurmët e saj në trashëgiminë historike e materiale të Llapit

Nga Arif Ejupi

Halit Lala lindi rreth viteve 1854–1855 në Gllamnik të Podujevës. Si pasojë e mungesës së Ekstraktit të lindjes, data e saktë mbetet e diskutueshme. Ai ishte një nga figurat më të respektuara të trevës së Llapit dhe më gjerë. Haliti ishte fëmija i parë i Mustafës dhe Zahides, e cila vinte nga Gegaj (ish-Dobratini) i Llapit.

Nga paraardhësit e tij, të njohur si një nga familjet më të vjetra të Gllamnikut, Halit Lala trashëgoi një pronë prej rreth 200 hektarësh.

Ajo që e bënte këtë pronë të veçantë ishte fakti se pjesa dërrmuese e saj shtrihej përgjatë lumit Llap, dhe për nga cilësia, klasifikohej tokë e klasit të parë.

Fatkeqësisht, burimet e shkruara që ndriçojnë etnogjenezën e familjeve në këtë trevë janë të pakta. Megjithatë, sipas rrëfimeve të të moshuarve, veçanërisht të Ramë Hajrë Osmani–Dërllupi, si banorë autoktonë të Gllamnikut konsiderohen familjet e vjetra:

  • Dërllupët, që sot mbajnë mbiemrat: Mustafa, Osmani, Ademi, Bislimi, Ajeti dhe Sadiku;
  • Lalajt, me mbiemrat: Mustafa dhe Lala;
  • Gjonajt, me mbiemrat: Veliu, Syla, Bahtiri,Mustafa dhe Kosumi;
  • Lahajt, me mbiemrat: Lahu dhe Azemi;
  • dhe Qypollët, me mbiemrat: Rrahmani dhe Mehmeti.

Kurse familjet e tjera të vendosura në Gllamnik, janë kryesisht muhaxhire të ndjekura me dhunë nga Sanxhaku i Nishit, përpara dhe gjatë viteve 1877-1878.

Gllamniku është një vendbanim fushor me reliev të butë dhe lugina të vogla, i cili shtrihet vetëm 5 kilometra në jugperëndim të Podujevës.

Ky lokalitet, i banuar që nga periudha e neolitit, përfshin një sipërfaqe prej 1.257 hektarësh dhe ka një histori të lashtë e të lavdishme.

Fshati është ndërtuar mbi themelet e Vendenisit antik, një vendbanim i lashtë i pozicionuar përgjatë rrugës antike Lissus–Naissus (Lezhë–Nish).

Kjo arterie strategjike, e cila lidhte pjesën qendrore të Ballkanit me bregdetin Adriatik, përbënte një nga rrugët më të rëndësishme të periudhës romake, duke shërbyer si urë lidhëse për tregtinë, ushtritë dhe kulturat mesdhetare dhe ballkanike.

Stacioni antik Statio Vendenis është identifikuar nga arkeologët si një qendër rrugore dhe vendbanim i periudhës romake në Dardani.

I vendosur në prapatokën e bregut të djathtë të lumit Llap, ai shtrihej në një sipërfaqe prej 15 deri në 20 hektarësh dhe përfaqësonte një nga nyejt më të rëndësishme të rrjetit rrugor, urban dhe ushtarak të provincës së atëhershme.

Gjatë viteve 1980-1986, në Gllamnik u bënë gërmime arkeologjike sistematike, përmes të cilave u hulumtua një sipërfaqe prej rreth 550 m². Këto gërmime sollën në dritë një varg objektesh me rëndësi të madhe historike dhe arkeologjike.

(si me djegie, ashtu edhe me varrim trupor), që dëshmojnë pluralizmin fetar dhe kulturor të kohës;

Një sarkofag monumental prej mermeri, me peshë disa tonësh, që me gjasë i përkiste një personi me status të lartë shoqëror apo politik;

Objekte banimi, ndër të cilat veçohet një ndërtesë me dysheme mozaiku, e zbukuruar me motive gjeometrike dhe një figurë qendrore të Orfeut, që dëshmon për praninë e elementeve kultike dhe mitologjike.

Një nga artefaktet me vlerë të veçantë është një unazë martesore prej ari, e zbukuruar me një kameo, një figurë e gdhendur në reliev në të cilën paraqitet skena e shtrëngimit të duarve të djathta (dextrarum iunctio), simbol klasik i lidhjes martesore, besnikërisë dhe miqësisë.

Gjatë viteve 2008 dhe 2011 janë kryer prospektime gjeofizike dhe gjeomagnetike, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe prej 11 hektarësh në këtë areal me rëndësi të veçantë arkeologjike.

Rezultatet e këtyre hulumtimeve identifikuan gjurmë ndërtimore që aludojnë në ekzistencën e një fortese fushore ushtarake, e cila, me gjasë, ka qenë e pozicionuar aty për të mbrojtur pikën rrugore dhe zonën përreth. Kjo një dëshmi tjetër që flet për rëndësinë strategjike që kishte Vendenisi në sistemin mbrojtës të Dardanisë.

Vendenisi ka pasur një vazhdimësi të gjatë historike, duke qenë aktiv gjatë gjithë periudhës romake dhe antikitetit të vonë. Kjo e bën atë një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike në Kosovë.

Gërmimet arkeologjike besohet të jenë kryer në një parcelë që dikur i përkiste familjes së Halit Mustafë Lalës, një prej familjeve më të vjetra dhe më me ndikim në fshat.

Halit Lala, në bashkëpunim me babanë e tij Mustafën, ndërtoi (ose trashëgoi) një kullë dykatëshe për të ruajtur trashëgiminë historike dhe kulturore të trevës, e cila përfaqëson një nga ndërtimet më karakteristike të arkitekturës tradicionale në Llap.

Kati i parë i kullës, i ndërtuar me gurë të gdhendur, shërbente kryesisht si stallë për bagëti, ndërsa brenda tij ndodheshin edhe disa dhoma ndihmëse, përfshirë edhe furrën për gatim.

Përmes një shuli tradicional prej druri, dera hyrëse e këtij kati mbyllej nga brenda, duke siguruar mbrojtje më të mirë për bagëtitë.

Kati i dytë, i ngritur mbi bazamentin prej guri, ishte ndërtuar me tulla të pjekura dhe shërbente si banesë familjare. Ai përfshinte katër dhoma, një korridor qendror, një qilar dhe një tualet të vendosur në anën veriore, përballë korridorit.

Secila dhomë, përfshirë edhe qilarin, kishte nga një oxhak të ndërtuar me pllaka guri dhe të zbukuruar me rrathë të gdhendur, të cilët shërbenin si simbole tradicionale apo motive dekorative.

Dy nga dhomat, me pamje nga jugu, kishin secila nga dy dritare, ndërsa dy të tjerat, nga ana veriore, kishin nga një dritare. Qilari, i pozicionuar gjithashtu në anën jugore, kishte dy dritare dhe ndodhej jashtë vijës së murit të dhomave, duke formuar një strukturë në formë T-je, që e dallonte në aspektin arkitektonik.

Dritaret kishin përmasa më të vogla se 1 m² dhe ishin të pajisura me parmakë hekuri dhe komfore mbrojtëse, që rrisnin sigurinë dhe ruanin karakterin fortifikues të kullës.

Ky element jo vetëm që siguronte mbrojtje, por i jepte objektit pamjen e një kalaje në miniaturë.

Sipas pasardhësve të Mustafë dhe Halit Lalës, kjo kullë është ndërtuar para xhamisë së Mulla Zenel Lalës në Sibovc të Epërm.

Thuhet se, gjatë dëbimit të muhaxhirëve shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877–1878, kulla e Halit Lalës në Gllamnik, ishte shndërruar në strehë për familjet e dëbuara.

Rrëfimet e brezave të vjetër tregojnë se kulla është ndërtuar nga mjeshtër të ardhur nga Dibra, të njohur për mjeshtërinë e tyre të rrallë në ndërtimin e objekteve tradicionale.

Kulla ishte e regjistruar në Inventarin Zyrtar të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës dhe gëzonte mbrojtje formale nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prishtinë.

Madje, në vitin 2004, ajo ishte vizituar nga z. Haxhi Mehmetaj, drejtor i atëhershëm i Institutit Arkeologjik të Kosovës. Me rastin e kësaj vizite, z. Mehmetaj e vlerësoi kullën e Halit Lalës me këto fjalë: “Në Kosovë kemi kulla më të mëdha se kjo, kemi edhe kulla tri-katëshe e katër-katëshe, mirëpo kulla e Halit Lalës është një ndërtim i punuar me stil të rrallë dhe konstruksion të mirëfilltë”.

Ajo përmban motive me vlerë artistike, të gdhendura në pllakat e gurëve të oxhakëve, si dhe në dërrasat e tavanit. Për më tepër, për herë të parë në këtë kullë janë përdorur shufra hekuri në dritare, me qëllim rritjen e sigurisë.

Përkundër këtij fakti, çuditërisht, nuk është ndërmarrë asnjëherë ndonjë masë konkrete për restaurimin apo konservimin e saj.

Sipas rrëfimeve të të moshuarve të familjes Lala, kulla ka shërbyer si vendbanim për pesë deri në gjashtë breza të kësaj familjeje autoktone. Ndër emrat që përmenden në vazhdimësinë e brezave që jetuan në të janë: Mustafë Lala, Halit Mustafë Lala, Zeqir Halit Lala, Mustafë Zeqir Lala (i dytë), Enver Mustafë Lala (lindur më 1946) dhe Shaip Mustafë Lala i lindur më 1969).

Kjo kullë zë një vend të veçantë në mozaikun e trashëgimisë historike të Llapit dhe më gjerë.

Pavarësisht vlerës së saj të jashtëzakonshme arkitektonike dhe historike, kulla u rrënua në vitin 2007 për shkak të humbjes së shpresës në institucionet përgjegjëse se do të ndërmarrin veprime konkrete për restaurimin e saj. Ajo ishte një banesë e fortifikuar tradicionale shqiptare, me tipare autentike dhe rëndësi të veçantë historike.

Rrënimi i saj është një humbje e pajustifikueshme jo vetëm për familjen Lala, por edhe për të gjithë banorët e trevës së Llapit.

Ky rast le të shërbejë si një paralajmërim i qartë për ndërmarrjen e masave urgjente dhe konkrete për mbrojtjen e objekteve historike me vlera të veçanta.

Katër mullinjtë e Halit Lalës

Përveç kullës dykatëshe, Halit Lala, në bashkëpunim me babanë e tij, Mustafë Lala, kishte ndërtuar ose trashëguar edhe katër mullinj uji, të shpërndarë në lokacione të ndryshme të rajonit të Llapit.

Mulliri i parë ndodhej në Gllamnik, rreth 300 metra në jug të kullës, pranë shtratit të lumit Llap.

Mulliri i dytë ishte i pozicionuar në kufirin ndërmjet fshatrave Sibovc, Kunushevc dhe Gllamnik, pranë xhamisë së ndërtuar nga Mulla Zenel Lala. Sipas rrëfimeve gojore, ky mulli konsiderohet të jetë më i vjetër se vetë xhamia dhe kulla.

Mulliri i tretë gjendej në territorin e fshatit Dumosh.
Mulliri i katërt ishte i vendosur në Sibovcin e Poshtëm.

Këta mullinj përfaqësonin jo vetëm objekte ekonomike të rëndësishme për familjen dhe banorët e këtij lokaliteti, por njiheshin edhe për ndërtimin cilësor dhe me shije.

Ky zotërim pronash ishte tregues i qartë i pozitës së lakmueshme që gëzonte familja Lala, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë shoqëror, në rajonin e Llapit, gjatë gjysmës së parë të shekullit -XX-.

Rënia e Halit Lalës në Betejën e Merdarit

Sipas kujtimeve të trashëguara brez pas brezi nga familja Lala, Halit Lala, ra dëshmor në vitin 1912, gjatë mbrojtjes së kufirit në Merdar, në një përpallje të armatosur kundër pushtuesve serbë.

Fatkeqësisht, për këtë betejë, në të cilën humbën jetën shumë llapjanë, nuk ekzistojnë dokumente të shkruara. Për pasojë, mungesa e ndriçimit të kësaj ngjarjeje historike rrezikon ta zhysë atë në harresë me kalimin e kohës.

Selman Lala, biri i Halitit, ndonëse ende i ri në atë kohë, duke kaluar nëpër fshatrat Shtedim dhe Surkish, e solli trupin e pajetë të babait të tij në Gllamnik.

Për shkak të rrethanave të vështira në të cilat ndodhej Kosova në atë kohë, ceremonia e varrimit u krye me nxitim dhe pjesëmarrje të kufizuar, vetëm nga disa familjarë dhe miq të afërt.

Halit Lala, burrë trim dhe vizionar, prehet sot pranë babait të tij, Mustafës, dhe Zenel Lalës, në varrezat e Sibovcit të Epërm, të Podujevës.

Në kujtesën kolektive të brezave, ai do të mbahet mend si burrë i urtë, trim dhe punëtor i përkushtuar. Me fjalën e tij të matur dhe të peshuar në kuvendet e burrave,Haliti ndihmonte në zgjidhjen e shumë çështjeve dhe mosmarrëveshjeve që nga Llapi e Kurillova e Vushtrrisë e deri në Junik të Deçanit.

Abdyl Lala dhe përpjekjet e tij për të shpëtuar tokën stërgjyshore

Abdyl Halit Lala, lindi në vitin 1879 në Gllamnik të Podujevës. Ai nga prindërit e tij Haliti dhe Mehremja trashëgoi 120 hektarë tokë të cilësisë më të mirë dhe dhjetëra hektarë të tjerë me pyje e livadhe.

Me pushtimin e Kosovës më 1912 dhe 1913 nga Mbretëria e Serbisë, pasurisë së Abdyl Halit Lalës, ia kishin vënë syrin vëllezërit Simiq , eprorë të lartë ushtarak të Ushtrisë serbe.

Ata të përkrahur nga pushteti i asaj kohe për të krijuar në rast reagimesh të Komisionit Ndërkombëtar dëshmi se kinse toka është blerë i japin Abdylit një shumë simbolike të hollash.

Abdyli duke njohur mizoritë e ushtrisë dhe xhandarmërisë së Serbisë, pas shitjes së simuluar, të pasurisë mblodhi bagëtitë dhe plaçkat më të domosdoshme dhe, me familjen, u nis drejt Turqisë.

Emine Abdyl Lala, një nga të mbijetuarat e atij udhëtimi dramatik, dëshmonte se Abdyli kishte përgatitur një qerre të mbuluar me qilima, sipas zakonit të kohës për transportimin e nuseve, për të fshehur në të vëllanë e tij të ri, Rrahmanin, një djalosh i pashëm dhe i rrezikuar nga vrasjet arbitrare të ushtrisë serbe, e cila ekzekutonte pa shkas të rinjtë shqiptarë.

Eminia gjatë rrugës për në Shkup, kishte parë me sytë e saj skena të llahtarshme: kufoma shqiptarësh përgjatë rrugës, dhe të rinj që, sapo zbuloheshin duke u fshehur pas qerreve, vriteshin mizorisht para syve të prindërve të tyre.

Abdyli, me plagën në zemër dhe shpirtin e përvluar, që kishte braktisur shtëpi e pasuri, derisa kishte arritur me familjen në Shkup, kishte hequr të zinjtë e ullirit.

ADVERTISEMENT

Ndërsa vëllai i tij, Selmani, i ndarë nga familja me një vagon tjetër me pak plaçka, kishte arritur në Turqi, ku qëndroi për rreth tri vjet.

Ndërkohë, edhe Abdyli me familjen e tij, tenton që nga Shkupi të shkoj në Turqi, mirëpo papritmas intervenon një Komision ndërkombëtar i cili e ndalon shpërnguljen masive të shqiptarëve nën ish- Mbretërinë Serbo, Kroate e Sllovene. Abdyli nga Shkupi kthehet së bashku me familjen në Prishtinë. Ai derisa stabilizohet gjen strehim tek kushërinjtë e tij, Ala dhe Hamdiu.

Gjithnjë i çiltër dhe korrekt duke mos dashur të mbetej barrë e tyre, Abdyli bleu një shtëpi dykatëshe pranë hotelit Bozhur, sot “Iliria” në Prishtinë, ku jetoi dy-tri vjet.

Ndërkaq, toka e tij në Gllamnik, nga pushteti serb u ishte ndarë dy vëllezërve Simiq të sjellë si kolonë nga Toplica e Serbisë.

https://www.kujtesa.com/ https://www.kujtesa.com/ https://www.kujtesa.com/

Vëllezërit Simiq edhe pse mbanin pozita të larta ushtarake Lalajt nuk arritën t’i nënshtrojnë asnjëherë.

Ata sikur i kishin mallkuar uzurpuesit e tokës së tyre. Një ditë një fëmijë i serbëve kolonë duke lozur në jazin e Mullirit pranë Kullës së Halitit bije në jaz dhe humb jetën.

Ky rast tragjik nga serbët që dhunshëm ishin vendosur në tokën e Lalajve u interpretua si një ogur i keq.

Një ditë, njëri nga vëllezërit Simiq iu drejtua Abdylit me fjalët: “Dëgjo, Abdyl, një fëmijë m’u mbyt në jaz. Nuk mund të rri më në këtë tokë. Për mua kjo është një tokë e mallkuar. Nëse i ke paratë, merre gjysmën e tokës.”

Gjysmën tjetër le ta mbajë vëllai im, Radomiri. Abdyli, që kurrë nuk e kishte shuar shpresën për të rikthyer pronën e të parëve, nuk u mendua gjatë.

E, pranoi menjëherë ofertën dhe bleu gjysmën e tokës së tij, ky një veprim që nuk ishte thjesht një blerje, por ishte një rikthim i pjesshëm i krenarisë dhe dinjitetit të paraardhësve të tij.

Begatia blegtorale dhe mjeshtëria e kalorësisë në jetën e
Abdyl Halit Lalës

Përveç pasurisë së konsiderueshme të tokave përreth shtëpisë, Abdyl Halit Lala zotëronte edhe një sipërfaqe të gjerë me pyje dhe livadhe në anën perëndimore të fshatit Gllamnik, ku kishte ndërtuar një shtëpi-stan, e cila shërbente për strehimin e barinjve dhe ruajtjen e bagëtisë.

Aty përpunohej edhe bulmeti, ndërsa barinjtë kujdeseshin për mbarështimin dhe menaxhimin e tufave.

Abdyl Lala njihej si blegtor i dalluar, që mbante me qindra krerë: dele, dhi, lopë, buallica dhe kuaj. Gjatë stinës së dimrit, shiste një pjesë të bagëtisë, ndërsa krerët më të shëndetshëm dhe më produktivë i ruante për mbarështim të mëtejmë.

Edhe tepricat e drithit shiteshin, duke mbajtur një cikël ekonomik të mirëmenaxhuar, që i siguronte familjes stabilitet dhe autoritet kudo.

Kjo periudhë begatie u zhvillua gjatë kohës kur Abdyli jetonte në bashkësi, me vëllezërit: Selmanin, Zeqirin, Rrahmanin, dhe më vonë edhe Bajramin, djalin e vetëm të Rrahmanit.

Ndër veçoritë më të njohura të personalitetit të Abdylit ishte dashuria dhe mjeshtëria në kalorësi.

Ai cilësohej si një kalorës i zëshëm, i dalluar për njohuritë dhe përkushtimin ndaj kuajve. Nga thëniet që i atribuohen, kujtohet shpesh shprehja e tij:

“Kali mëson. Është kafshë që parandien rrezikun, e kupton dhe e respekton të zotin më shumë se të gjitha kafshët e tjera. Kali e njeh bingjinë (kalorësin), gruaja e njeh burrin, e shkau e njeh trimin.

Kali që nuk ka inat nuk vyen, po as mashkulli pa inat nuk vyen.”

Abdyl Lala mbante dy lloje kuajsh:

  1. kuaj për vrapime, dhe
  2. kuaj për lojëra popullore dhe dasma.

Ushqimi i tyre ishte i veçantë, bazuar në grurë dhe elb, e pjesërisht edhe në misër, duke siguruar që kuajt të ishin në formë të shkëlqyer fizike e shpirtërore, si për gara, ashtu edhe për paraqitje ceremoniale.

Kalorësia dhe manifestimet popullore në jetën e Abdyl Halit Lalës

Përveç blegtorisë, Abdyl Lala merrej edhe me lëvrimin e tokës dhe transportin, duke përdorur buaj dhe qe për tërheqjen e qerreve. Si pjesë e përkushtimit të tij ndaj kuajve dhe kalorësisë, ai kishte krijuar një shesh të posaçëm stërvitor në vendin e quajtur “Zallinat”, buzë lumit Llap.

Aty vendoste trungje druri në largësi të ndryshme, të cilat i përdorte për stërvitjen e kuajve në kërcime të gjata e të larta. Në të njëjtin vend organizoheshin shpesh dasmat tradicionale, ku zjarret rituale ndizeshin, e Abdyl Lala, në harmoni me ritmin e tupanëve dhe surleve, kërcente me kalë mbi zjarr, përreth dasmorëve të ulur.

Një nga skenat më mbresëlënëse që ka hyrë në kujtesën popullore është ajo kur ai u thoshte dasmorëve:

“Mos i lëvizni këmbët – kali im do të kalojë mbi to pa ju shkaktuar asnjë gërvishtje.” Në të njëjtën shpejtësi, Abdyli u hiqte plisin burrave nga koka me kalë në galop, dhe pastaj, kur kthehej, ua vendoste sërish me mjeshtëri të rrallë. Një shfaqje që linte publikun të habitur dhe të emocionuar.

Figura e tij ka frymëzuar rrëfime të shumta popullore, të cilat më vonë u përfshinë në letërsinë artistike, si në tregimin “Eu Binak, Eu” të Adem Demaçit, ku personazhi Binaku, bashkëkohanik nga Gllamniku, përshkruan me pasion garat e Abdylit në Beograd, ku thuhet se kishte zënë vendin e parë në garat ballkanike të kalorësisë.

Sipas rrëfimeve të Binakut, kali i Abdyl Lalës i takonte “sojit të kalit të Gjergj Elez Alisë” apo të Mujit e Halilit, duke e ngritur kështu në një nivel legjendar të nderimit në kujtesën kolektive.

Në kujtimet e banorëve të Llapit , Abdyl Lala është kujtuar si kalorës legjendar, njeri humanitar dhe figurë me peshë publike. Populli thoshte: “Ati i Abdylit është më temeli se shumë burra.”

Kur dëgjonte tupanët, kali i tij refuzonte tagjinë nga dëshira për lojë. Andaj, Abdyli e largonte drejt mullirit për ta larguar nga tingujt.

Sipas rrëfimeve të ruajtura me dashuri e zell, Abdyli mori pjesë në gara kalorësie në Shkup dhe Beograd, ku thuhet se zuri vendin e parë, duke fituar shumë medaljone, një e dhënë që vlen të gjurmohet në shtypin e asaj kohe.

Abdyl Halit Lala merrte pjesë rregullisht në dasmat e mëdha në Llap e Kosovë, ku në garat me kuaj zinte gjithmonë vendin e parë. Asokohe, në ahengje organizoheshin edhe gara si: vrapime maratonike, qitje me pushkë, gjuajtje gurësh dhe mundje.

Në dasmën e Bajram Rrahman Lalës, vrapuesit nisnin garat nga Çezma në Lupç dhe përshkonin 12 km deri te kulla në Gllamnik. Dy garues kishin arritur njëkohësisht cakun. Ata nisën t’i kontestonin fitoren njëri-tjetrit. Abdyli, me këshillin organizativ, i shpalli fitues të barabartë, duke dashur t’i ulë tensionet, të dyve u dhuroi nga një këmishë mëndafshi.

Ndër figurat e njohura të garave përmenden:

Sylë Obrazhda – vrapues i njohur edhe jashtë Llapit,
Rama i Muses (Gjoni) – me veshje tradicionale,
Zeqir Halit Lala – i dalluar në qitje,
Duli i Kosumit (Dumosh) – mendjehollë në kuvende,
Bejtush Blakqori (Podujevë) – tregtar i njohur,
dhe vetë Abdyl Halit Lala – kalorës në zë, bingji i rrallë.

Forca e karakterit dhe nderi në pikëllim – Abdyl Lala përballë vetes

Abdyl Halit Lala e kishte marrë gjokun e tij të famshëm – kalin që do të bëhej legjendë në Llap e më gjerë, nga Rrahman Duriqi, burri i motrës së tij Havës. Si trajner i përkryer i atllarëve, ai njihej për mjeshtërinë e jashtëzakonshme dhe populli thoshte:

“Ati i Abdylit luan edhe në tepsi.”

Në dasmat e mëdha, ku garat me kuaj, qitjet me pushkë dhe valltarët ishin pjesë e ceremonisë, njerëzit shpesh shkonin edhe pa ftesë, vetëm për të parë Abdyl Lalën në veprim.

Një ngjarje prekëse e kujtuar me respekt në Llap lidhet me dasmën e Nezir Koliqit, në kohën kur Abdylit i kishte ndërruar jetë vajza e re, Nazifja (Gala), nuse në Mirofc të Shtedimit.

Pasi kishte hapur të pamën, Abdylin e vizitoi paria e Llapit.

Në fillim ai refuzoi të merrte pjesë në dasmë, por kur miqtë e tij i thanë se as ata nuk do të shkonin pa të, ai u përgjigj:

Unë vij me ju, por me një kusht, mos i tregoni Nezirit se kam rast vdekje në shtëpi.”

https://www.facebook.com/visionmediaent https://www.facebook.com/visionmediaent https://www.facebook.com/visionmediaent

Në Koliq, Abdyli mori pjesë në dasmë, përshëndeti të zotin e dasmës dhe dasmorët, kalëroi si zakonisht dhe respektoi ritualet, pa dhënë shenjë pikëllimi.

Abdyli pas përfundimit të dasmës, i kërkoi leje Nezirit dhe i tregoi të vërtetën, duke e falënderuar për mikpritjen. Neziri, i prekur thellë, e përqafoi dhe i dha disa shokë ta shoqëronin deri në Gllamnik.

Vetëm burrat e fortë si Abdyl Lala”, thoshin të vjetrit, “mund ta fshehin pikëllimin dhe të luajnë në dasmë me zemër të thyer.” Abdyl Lala, si det i paanë, dinte të duronte por kur rrëmbehej, askush nuk mund t’i qëndronte përballë.

Abdyl Halit Lala nuk ishte vetëm një kalorës i njohur, por edhe figurë politike e rëndësishme, që shërbeu për tre deri në katër mandate si kryetar i komunës së Gllamnikut.

Ai gëzonte respekt të gjerë dhe bashkëpunonte me personalitete si Hoxhë Visoka, Shaban Polluzha, Sherif Voca, Nezir Koliqi, e të tjerë, si dhe mbante lidhje me kaçakë të njohur si vëllezërit Rushit, Halit, Hamit dhe Sali Bajqinovci.

Ishte i njohur për sjellje fisnike ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa humanizmi i tij përmendet në rastin kur u dha strehim vëllezërve Sherif dhe Hajdar Sekiraqa, duke ua ofruar shtëpinë dhe tokën falas derisa ata u mëkëmben.

Ramadan Lahu, si një djalë i ri një kohë kishte qenë sekretar i Abdylit dhe në çdo ndejë apo aheng familjar evokonte me admirim e mall aftësitë e tij në administratë dhe udhëheqje.

Kulla e re e Abdyl Halit Lalës dhe trashëgimia familjare

Rreth vitit 1918, Abdyl Lala ndërtoi pranë kullës së vjetër një kullë të re në formë piramidale, me katin e parë prej guri dhe të dytin prej tullash. Kulmi përfundonte në një pikë, ku vendosi një piramidë llamarine, simbolikë që në popull u interpretua si shenjë nderimi për medaljet e fituara, për strukturën familjare apo për mbrojtjen që u ofronte njerëzve në hall.

Kulla ishte e pasur me motive artistike si hardhi rrushi e figura kuajsh, dhe për një kohë qëndroi e pabanueshme. Është rrënuar në vitin 2014 dhe në vend të saj është ndërtuar një shtëpi moderne.

Pas ndarjes me vëllezërit Selmanin, Zeqirin dhe Bajramin, prona e trashëguar u nda në katër pjesë. Zeqiri, si më i vogli, trashëgoi kullën e babait sipas zakonit. Kurse për Selmanin dhe Bajramin u ndërtuan shtëpi të veçanta.

Abdyl Lala nga martesa e parë me Hava Poterën pati një djalë, Jahjan, dhe katër vajza: Mihanen, Eminen, Shehiden dhe Nazifen (e cila vdiq e re). Ndërsa nga martesa me Minushe Mehmetin, familja e së cilës kishte ardhur në Gllamnik nga Vitaku i Skënderajt, pati katër djem: Rexhepin, Behxhetin, Halitin, Zenelin dhe pesë vajza: Hanushen, Xhylizaren, Ajshen, Naxhushen dhe Bahrijen.

Rrahman Halit Lala (1881), djali i Halitit dhe Mehreme Popova, u martua me Mehreme Havollin nga Llapashtica. Pati një djalë, Bajramin, dhe dy vajza: Habiben dhe Hamiden. Rrahmani mori pjesë në luftën për çlirimin e Kurshumlisë, ku u vra pas një beteje të ashpër, dhe eshtrat e tij nuk janë kthyer kurrë në Gllamnik.

Mehremja, e njohur si Dada Mehreme, rriti me përkushtim fëmijët dhe jetoi rreth 90 vjet. Djali i saj Bajrami u martua me Sherifen nga Grabovci, dhe për këtë dasmë Abdyli organizoi aheng të madh. Nipi i Rrahmanit, Rrahman Bajram Lala, u vra gjatë luftës së fundit më 1999 në Koliq dhe u rivarros në varrezat familjare pranë xhamisë së Mulla Zenel Lalës.

Selman Halit Lala (1885–1972), ishte i martuar me Adile Çitakun nga Bajçina. Ai, pati tre djem: Ismajlin, Jakupin, Xhemajlin dhe katër vajza: Bahtijen, Nazmijen, Sabrijen dhe Shemsijen. Njihej për ndershmërinë, punën e palodhur dhe përkujdesjen për shkollimin e fëmijëve. Rreth vitit 1956 u shpërngul në Prishtinë, ku edhe ndërroi jetë.

Zeqir Halit Lala (1892–1975), më i vogli ndër vëllezër, ishte kujdestar besnik i trashëgimisë dhe amanetit të babait të tij, Halitit. Ai nga të gjithë vlerësohej për urtësinë dhe shkathtësinë në qitje.

Po ashtu në mbarë Llapin dallohej për fisnikërinë dhe gjykimin e gjërave pa u ndikuar nga të tjerët.

Zeqiri gjatë okupimit gjerman kishte shërbyer si kryetar komune në Gllamnik, ndërsa pas luftës ishte detyruar të kaloj në ilegalitet. Strehimin e tij në vende të sigurta e bënin nipi i tij, Jahja Abdyl Lala, dhe Ali  Rrahmani – Qypolli, një burrë trim dhe i respektuar, e kishte strehuar në shtëpinë e tij.

Zeqir Lala duke njohur kontributin e Selim Shabanit – Obrançës, dhe ndikimin e tij, në qarqet komuniste i bindet thirrjes për dorëzim.

Zeqiri ishte i martuar me Vezire Mehmetin e Vitakut të Drenicës. Ata nga kjo martesë patën djemtë Selatinin dhe Mustafën si dhe vajzat Bushin,Sadushin,Nazifen dhe Fatushen.

Post Views: 121

Poste të ngjashme

“Vushtrria ka nevojë për ty si kryetar”, Xhafer Tahiri merr përkrahje publike nga ish-prokurorja e Zyrihut

“Vushtrria ka nevojë për ty si kryetar”, Xhafer Tahiri merr përkrahje publike nga ish-prokurorja e Zyrihut

21/06/2025, 14:29

Dje, portali Rajoni.org raportoi ekskluzivisht se Xhafer Tahiri do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët...

Bajrami: Energjia e importuar po vjen kryesisht nga Serbia

Bajrami: Energjia e importuar po vjen kryesisht nga Serbia

21/06/2025, 13:42

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër lidhur me gjendjen aktuale në sektorin e energjisë në...

Kurti ia “huq” keq, deputeti e bën horë para të gjithëve

Kurti ia “huq” keq, deputeti e bën horë para të gjithëve

20/06/2025, 19:05

Deputeti  Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, ka marrë sot pjesë në një organizim të Qeverisë së Kosovës për shënimin e...

Ky është eksperti francez që po punon për rikthimin e njësisë B2 në KEK, është drejt pensionimit

Ky është eksperti francez që po punon për rikthimin e njësisë B2 në KEK, është drejt pensionimit

20/06/2025, 15:45

Guy Labrecque, një ekspert i turbinave nga kompania e njohur amerikane ‘General Electric‘, është duke punuar në riparimin e gjeneratorit...

“Ku je i lidhur ti me këto shtylla, o Lumir pishpiriku” – Peci i reagon Abdixhikut pasi e quajti të paedukatë Gërvallën

“Ku je i lidhur ti me këto shtylla, o Lumir pishpiriku” – Peci i reagon Abdixhikut pasi e quajti të paedukatë Gërvallën

20/06/2025, 15:38

Bashkudhëheqësi i Guxo-s dhe ministri në detyrë, Faton Peci, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, pasi ky...

Lajmi i fundit

Historia e familjes Lala të Gllamnikut dhe gjurmët e saj në trashëgiminë historike e materiale të Llapit

Historia e familjes Lala të Gllamnikut dhe gjurmët e saj në trashëgiminë historike e materiale të Llapit

21/06/2025, 14:39
“Vushtrria ka nevojë për ty si kryetar”, Xhafer Tahiri merr përkrahje publike nga ish-prokurorja e Zyrihut

“Vushtrria ka nevojë për ty si kryetar”, Xhafer Tahiri merr përkrahje publike nga ish-prokurorja e Zyrihut

21/06/2025, 14:29
Bajrami: Energjia e importuar po vjen kryesisht nga Serbia

Bajrami: Energjia e importuar po vjen kryesisht nga Serbia

21/06/2025, 13:42
Kurti ia “huq” keq, deputeti e bën horë para të gjithëve

Kurti ia “huq” keq, deputeti e bën horë para të gjithëve

20/06/2025, 19:05
Visionpress.tv

Ky portal mirëmbahet nga Vision sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren për qëllime përfitimi apo në çfarëdo forme tjetër, pa miratimin e drejtuesve të portalit "Visionpress.info".

Kërko sipas kategorisë

  • Covid-19
  • FUN
  • Kosove
  • Lajmet e Fundit
  • Moti
  • Rajoni & Bota
  • Shëndeti
  • Showbiz
  • Shqipëri
  • Sport
  • Të tjera
  • Tech & Auto
  • Video

Ke një lajm?

Ke një lajm?
  • Privacy Policy
  • Kontakt

Visionpress.tv

  • Lajmet e Fundit
    • Të gjitha
    • Kosove
    • Shqipëri
    • Rajoni & Bota
    • Moti
  • Covid-19
  • Sport
    • Të gjitha
  • Showbiz
    • Të gjitha
  • Shëndeti
    • Të gjitha
  • Tech & Auto
  • Të tjera
  • Video

Visionpress.tv