Të paktën 11 persona janë konfirmuar të vdekur, me dhjetëra të tjerë kanë përfunduar në spital, si pasojë e temperaturave të larta, teksa morën pjesë në një ngjarje të mbështetur nga qeveria indiane.
Me qindra mijëra persona u grumbulluan në një fushë në Maharashtra në një ceremoni të ndarjes së çmimeve, ndërsa temperatura shënoi 38 gradë celsius. Të pranishëm në këtë event ishin edhe ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah dhe udhëheqës nga partia në pushtet, Bharatiya Janata.
Ekspertët kishin dhënë paralajmërimet që të shmangej dalja në diell në orët e pikut, nga ora 11:00 deri në orën 16:00, por kjo thirrje nuk u mor parasysh nga mijëra persona.
Qeveria u akuzua për neglizhencë, ndërsa 11 persona humbën jetën nga i nxehti e qindra të tjerë pësuan dehidratim dhe presion të lartë të gjakut.
Ish-kryeministri Uddhav Thackeray akuzoi se ngjarja nuk ishte organizuar siç duhet dhe për këtë kërkoi që të mbahet një hetim.