Agim Veliu duket se ende nuk e ka tejkaluar inatin me Lumir Abdixhikun, i cili e kishte shkarkuar nga posti i kryetarit të LDK-së në Podujevë. Deputet Veliu e ka shmangur Abdixhikun gati tërësisht nga fotografitë e 33 vjetorit të themelimit të LDK-së.
Ndonëse postoi 24 fotografi nga ndeja e mbrëmshme, z. Veliu është kujdesur që Abdixhiku të mos shfaqet në asnjërën nga fotografitë e përzgjedhura. Në fakt, Abdixhiku shfaqet vetëm në një fotografi, dhe atë në qoshe të saj, që duket të jetë një mesazh i qartë i “padurueshmërisë” së Veliut për Abdixhikun.
Për më shumë, z. Veliu zgjodhi të dërgojë edhe një mesazh tjetër nëpërmjet fotografive. Ai postoi fotografi me Driton Selmanajt, deputet i LDK-së, që po ashtu dukej të kishte një hatërmbetje me Abdixhikun. Megjithatë, kujtojmë që Selmanaj së fundmi është zgjedhur kryetar i degës së LDK-së në Prizren.
Veliu zgjodhi të postonte fotografi edhe me Lutfi Hazirin, që është nënkryetar i LDK-së, pasi humbi zgjedhjet kundër të Abdixhikun vitin e kaluar.
Edhe mbishkrimi i albumit me 24 fotografi që zgjodhi Veliu është domethënës.
“Momente me miq e mbështetës në 33 Vjetorin e themelimit të LDK-së” – shkroi z. Veliu.
Kujtojmë që Veliu ishte treguar i ashpër në disa raste të tjera ndaj Abdixhikut, pasi ishte shkarkuar nga dega e LDK-së në Podujevë. Madje, në një letër të gjatë, z. Veliu e kishte kritikuar ashpër Abdixhikun, duke theksuar se Ekrem Hyseni është emëruar në degën në Podujevë është emëruar në mënyrë të kundërligjshme.
“Lumiri mund të marrë përgjegjësi sa të dojë, por nuk mund të amnistohet humbja në Podujevë e kandidatit të emëruar nga ai, të veshur me të gjitha kompetencat për të zgjedhur shtabin, listën e kandidatëve për asamblistë, autonomi të plotë në bërjen e fushatës, financimin marramendës të fushatës…” – shkruante në letër Veliu.
Por edhe Abdixhiku kishte gjetur momentin e tij për të kritikuar Veliun. Ndonëse nuk ia kishte përmendur emrin, Abdixhiku kishte hedhur kritika në drejtim të Veliut dhe Skender Hysenit, ish-funksionar i lartë i LDK-së, rreth situatës aspak të favorshme elektorale të ish-partisë së Ibrahim Rugovës.
“E kanë pru LDK-në në nivel të AAK-së. Mos t’më japin ligjërata. S’mund të më japin as mua e as kolegëve të mi se si qeveriset me një parti. Nëse kanë ide tjetër, në pranverën e vitit të ardhshëm le ta paraqesin në Kuvendin e LDK-së. Nuk i kuptoj se si njerëzit e LDK-së e bëjnë opozitën kundër LDK-së. Ne nuk jemi të imponuar në LDK, ne jemi të zgjedhur aty. Këta që opozitën e vetme e bëjnë kundër LDK-së, s’i kuptoj fare. Saherë që bëjë diçka ka një kor gazmor, që nis me një ish-zyrtar të LDK-së dhe përfundon me një gazetar të ish-pushteteve dhe të gjithë bashkë më sulmojnë mua”, deklaronte kohë më parë Abdixhiku në Pressing të T7.
Mbrëmë Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një ndejë në shenjë të përkujtimit të 33 vjetorit të themelimit të saj, që njëherit është edhe partia më e vjetër demokratike në Kosovë.







