Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë lidhur me një incident të ndodhur të premten në një lokal në fshatin Rigjevë të Klinës.
Sipas hetimeve të deritanishme të IPK-së, dy zyrtarët policorë kanë shtënë me armë, që dyshohet të mos jetë armë zyrtare, bazuar në provat e gjetura në vendngjarje.
“Lidhur me rastin e njëjtë hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin edhe të një rreshteri policor të Stacionit Policor të Klinës pasi që i njëjti në cilësinë e pronarit të lokalit me veprimet e tij ka penguar hetimin zyrtar të IPK-së, duke ndikuar në zhvillimin e procedurave dhe mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes dhe me këtë rast i njëjti është i dyshuar për veprën penale ‘Dhënia e ndihmës pas veprës penale’”, thuhet në njoftim.
Hetuesit e IPK-së, në koordinim me prokurorinë kompetente, do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore për të ndriçuar të gjitha rrethanat që lidhen me këtë rast./Sinjali







