Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të mbrëmjes së sotme në formatin Big Brother Albania, ndodhi një akt i papranueshëm dhune, ku një prej konkurrentëve të eliminuar sulmoi fizikisht një tjetër pjesëmarrës në momentin e daljes nga shtëpia. Ky veprim u transmetua në kohë reale dhe u ndoq nga një publik i gjerë kombëtar.
Top Channel dënon me vendosmëri çdo formë dhune dhe rithekson angazhimin e saj ndaj standardeve më të larta të etikës profesionale, përgjegjësisë publike dhe komunikimit të sigurt. Big Brother Albania është një format argëtues që promovon lojën, spontanitetin dhe emocionin – por kurrë dhunën. Ky incident është në kundërshtim të plotë me frymën e programit dhe me parimet themelore mbi të cilat funksionon platforma jonë televizive.
Produksioni nuk ka pasur asnjë informacion, sinjal apo indicie që do të mund të çonte në parashikimin e një sjelljeje të tillë. Ngjarja ndodhi në mënyrë të papritur, pa asnjë provokim të lidhur me formatin, dhe është thellësisht e dënueshme. Edhe pse formatet televizive të tipit reality mund të përmbajnë të papritura dhe tensione, kufijtë janë të qartë dhe të panegociueshëm – dhe dhuna nuk tolerohet në asnjë rrethanë.