Marcel Lekaj , zëdhënës i Gjykatës Themelore në Prizren, ka bërë të ditur se është kërkuar masa e paraburgimit prej një muaj për 23 persona që dyshohen për manipulim votash në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
“Sot gjatë ditës Gjykata Themelore ka pranuar disa kërkesa. Marrë në total janë 23 persona për të cilët është kërkuar seanca, për të cilët është kërkuar masa e paraburgimit”, ka deklaruar Lekaj për mediat, përcjell Klankosova.tv.
“Marrë… pra 21 të pandehur në cilësinë e komisionerit, të dyshuar për veprën penale ‘Falsifikim i rezultateve të votimit’, një të pandehur komisionere për dy vepra penale: ‘Falsifikim i rezultateve të votimit’ dhe ‘Marrje e ryshfetit’, dhe për një të pandehur në cilësinë e vëzhguesit për dy vepra penale: ‘Kanosja’ dhe ‘Dhënia e ryshfetit’”.
Lekaj tha se janë caktuar dy seanca dëgjimore dhe dy të tjera pritet të mbahen tash në orët në vijim.
“Pra, në total 23 persona të ndarë në disa kërkesa. Dy seanca dëgjimore janë caktuar dhe janë mbajtur, dhe dy të tjera pritet të mbahen tash edhe në orët në vazhdim. Gjykata brenda afatit gjithashtu, deri besoj në fund të ditës dhe në përfundim të afatit, do t’i përpilojë edhe vendimet referuar kërkesave të prokurorisë”.







