Pasi u takuan gjatë ditës së djeshme, një tjetër takim pritet ta mbajnë edhe në ditën e sotme. Dje ishin rreth 20 klube nga të gjitha kategoritë e futbollit kosovar që u mblodhën për të diskutuar për rrezikun e thellimit të krizës së futbollit në vend.
Arsyeja kryesore ka të bëjë me dështimin e FFK-së për t’i plotësuar kushtet e nevojshme që të licencohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Kështu që, për temën e njëjtë, klubet e futbollit në vendin tonë do të mblidhen edhe sot, për të biseduar për krizën serioze me të cilën do të përballen nëse ato nuk do të arrijnë të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk i ka plotësuar kushtet që klubet e saj të përfitojnë nga ligji për sponsorizim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS) dhe disa prej tyre nuk i është pranuar vërtetimi gjatë kësaj jave.
“Jemi diku rreth 20 klube këtu. Ligji për sponsorizim na ka nxjerr shumë telashe”, ka thënë burimi për Nacionalen.
“Nëse nuk ka zgjidhje për ligjin për sponsorizim, ne as në përgatitje nuk mund t’i dërgojmë ekipet tona”, shtoi ai.
Klubet kosovare të futbollit përballen me telashe financiare edhe me ligjin për sponsorizim, por me mungesën e tij për shumicën absolute të tyre do të nënkuptonte kolaps i plotë.
Gjilani, i cili është në telashe serioze financiare sepse pronari i vet Florim Zuka hoqi dorë nga investimi në klub dhe po kërkon blerës të ri, nuk është pjesë e takimit, po ashtu.
Por kushto që do të dëshironte të investonte te një klub i madh si Gjilani, sigurisht se do të ngurronte ta bënte në mungesë të ligjit për sponsorizim, i cili investitorët në futboll i liron nga taksat për 30%./nacionale