Lajmi i Gazetës Insajderi se “Prokurimi i Bulliqit i jep tender kompanisë nga Prizreni për pastrimin e veturave zyrtare të komunës së Podujevës” është tendencioz dhe me shumë të pavërteta.
Kur është bërë lajmi se operatori ekonomik për larjen e automjeteve zyrtare të Komunës së Podujevës ka bazën e saj në Prizren, është anashkaluar qëllimshëm një fakt shumë i rëndësishëm – marrja në shfrytëzim të “Auto Larje Rremi” në Podujevë nga fituesi i kontratës për të ofruar shërbimin.
Gjatë inicimit të procedurave të prokurimit për këtë tender është bërë një lëshim teknik nga zyra e prokurimit, megjithatë gjatë zhvillimit të procedurave dhe para se të shpallet fitues operatori ekonomik “GEO Group Ing”, atij i është kërkuar nga zyra e prokurimit në Podujevë që të dokumentojë se ka përfaqësi ose nënkontraktor në Komunën e Podujevës.
Me këtë rast OE ka dorëzuar kontratën me qira që ka nënshkruar me “Auto Larje Rremi”, i cili autolarjen e ka në rrugën “Skënderbeu – tash rruga Xhemajl Mustafa” në Podujevë.
Duke u bazuar mbi këto fakte dhe në ligjin e prokurimit publik zyra e prokurimit ka shpallur fitues kompaninë në fjalë, e cila edhe ka qenë e vetmja që ka konkurruar për realizimin e kësaj kontrate.
Në fotografi gjeni marrëveshjen me qira që ka nënshkruar OE me “Auto Larje Rremi”.