Komuna e Podujevës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeshefit ekzekutiv të KRM “Pastrimi”, Petrit Reçica, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë për gjendjen me mbeturinat në komunë.
Sipas reagimit, Komuna thekson se problemi me grumbullimin e mbeturinave është shfaqur vetëm gjatë këtij viti dhe jo prej katër vitesh, siç është pretenduar. Ajo shton se ka qenë e gatshme të shqyrtojë rishikimin e tarifave, por vlerëson se nuk është e arsyeshme të rriten tarifat në kohën kur shërbimi është në nivelin më të dobët.
Komuna rikujton se gjatë viteve 2022–2025 e ka subvencionuar KRM “Pastrimi” me mbi 100 mijë euro, ka bashkëfinancuar regjistrimin e ekonomive familjare në bashkëpunim me GIZ-in dhe i ka vënë në dispozicion tre kamionë për bartjen e mbeturinave, të cilët sipas saj, aktualisht janë jashtë funksionit.
Në reagim thuhet se shpallja e gjendjes emergjente në Podujevë nuk është “skenar i inskenuar”, por pasojë e gjendjes kaotike të krijuar me mbeturinat, për të cilën Komuna fajëson KRM “Pastrimi” dhe kryeshefin e saj.
Në fund, Komuna thekson se përgjegjësia për mbledhjen dhe bartjen e mbeturinave i takon KRM “Pastrimi”, ndërsa çdo përpjekje për ta bartur fajin te institucionet komunale, sipas saj, nuk qëndron përballë realitetit.







