Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, është deklaruar lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet nesër më 19 prill, duke u shprehur pesimiste për arritjen e ndonjë zgjidhjeje mes partive politike.
Musliu, në një prononcim për IndeksOnline është shprehur se nga seanca e nesërme të konstituimit të Kuvendit mund të presim gjithçka dhe asgjë pasi që sipas saj Lëvizjen Vetëvendosje po krijon dramë të panevojshme.
“Që të jem e sinqertë, në seancën e nesërme mund të presim gjithçka dhe asgjë.. Nuk është për t’u habitur që Vetëvendosje edhe një situatë krejtësisht normale e shndërron në një dramë teatrale. Dhe pse? Vetëm e vetëm sepse asnjërit nga ata nuk i bëhet vonë as për shtet dhe as për popull”, është shprehur Musliu.
Sa i përket qëndrimit të PDK-së, Musliu u shpreh se nuk është koha për kompromise, por për respektim të ligjit dhe kërkim llogarie. Sipas saj Kushtetuta dhe ligjet po nëpërkëmbën.
Pse duhet të manovrohej situata për të qenë e nevojshme arritja e kompromiseve? Situata e krijuar e ka përçarë shoqërinë në dy kampe. Juristët po ashtu. Presidentja heshtë. KQZ u shndërru në një patericë të pushtetarëve. Kushtetuta dhe ligjet po nëpërkëmbën. Në vend të kompromisit ne të gjithë duhet të kërkojmë llogari sepse qëllimisht po rrezikohet demokracia jonë e arritur me shumë mund”, ka thënë Musliu për IndeksOnline.
Ajo shtoi se nuk ka pasur përpjekje serioze për dialog, pasi “nuk mund të zhvillosh negociata me ata që të duan të nënshtruar.”
Sipas saj, Albin Kurti dhe partia e tij po e shfrytëzojnë situatën për të mbuluar dështimet e qeverisjes dhe për të vazhduar me keqpërdorimin e pushtetit.
Në rast të dështimit të seancës së nesërme, Musliu tha se “zgjidhja është e qartë: shkelësit të sanksionohen dhe të kërkohet ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese nëse është e nevojshme.”
“Zgjidhja është e lehtë. Kemi të bëjmë me shkelje ligjore dhe shkelësit duhet të sanksionohen. Vazhdohet me konstituimin e kuvendit dhe shohim tutje. Kemi të bëjmë me përzierje të legjislativit me ekzekutivin gjë që paraqet shkelje ligjore. Nëse politikanët nuk mund ta zgjidhin këtë ngërç, atëherë duhet të kërkohet ndihma e gjykatës kushtetuese”, tha Musliu.
Ndërsa theksoi se ata që shkelin kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nuk e kanë vendin në qeveri, ata e kanë vendin në burg./IndeksOnline/