Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton opinionin publik se në vazhdimësi ka marrë pjesë në grupet punuese gjatë procesit të hartimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, me ç’rast ka ofruar propozime dhe komente konkrete lidhur me këtë ligj, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga organet përkatëse.
“Rrjedhimisht, sot, me rastin e publikimit të vlerës së koeficientit nga ana e Qeverisë, faktikisht, vërtetohet hapur se janë ulur ndjeshëm pagat e prokurorëve të shtetit dhe pagat e një pjese të stafit administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së për medie.
“Më ketë rast, duke shprehur kundërshtimin tonë të fuqishëm lidhur me caktimin e koeficientit të pagave, kërkojmë edhe njëherë që të realizohet kërkesa e Këshillit Prokurorial drejtuar Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
“KPK konstaton përfundimisht se me këtë rast është cenuar funksionalizimi i sistemit prokurorial, ngaqë pretendimet e ngritura me kohë janë të mbështetura në aktet, praktikat dhe standardet ndërkombëtare dhe, të cilat nuk mund dhe nuk duhet të cenojnë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti”, përfundon komunikata.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vlerën e koeficientit 105 euro për pagat.
Sipas kësaj vlere, kryetari i Gjykatës Supreme do të paguhet tash e tutje me 1785 euro.
Gjyqtari i Gjykatës Themelore do të paguhet 1396.5 euro, kryeprokurori do të ketë pagën 1785 euro, ndërkaq prokurori 1344.
Më poshtë e gjeni listën e pagave për juristët:
Kryetari i Gjykatës Supreme 1785 euro
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës 1732.5 euro
Gjyqtar i Themelores nga 1260 deri në 1396.5 euro
Kryeprokurori 1785 euro
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial 1732.5 euro
Prokuror nga 1344 deri në 1260 euro







