Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në 17 komuna ka përfunduar verifikimi i votave për zgjedhjet lokale.
Aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit janë përmbyllur në 17 komuna, duke përfshirë Hanin e Elezit, Junikun, Mamushën, Zveçanin, Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, Deçanin, Shtimen, Klinën, Shtërpcën, Obiliqin, Istogun, Skenderajn, Vitinë, Rahovecin, Suharekën dhe Dragashin.
Deri në orën 16:00 të së enjtes janë procesuar 3,357 kuti votimi nga gjithsej 5,142 kuti të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale.
Sipas njoftimit, nga këto janë verifikuar rezultatet për 1,689 vendvotime për kryetarë komunash dhe për 1,668 vendvotime për subjekte politike dhe kandidatë në kuvende komunale.
Sa i përket votimit jashtë Kosovës dhe votimit përmes postës, KQZ-ja ka nisur vlerësimin e mbi 32 mijë pakove me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 28,200, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,700.
Refuzimet janë kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit që është dokument i domosdoshëm për verifikim.
Fillimisht votat janë numëruar nëpër vendvotime, teksa në QKN verifikohen dhe numërohen ato për kandidatë për asamble komunale.
Sipas rezultateve nga QKN-ja në Han të Elezit ka fituar pa balotazh Mehmet Ballazhi i PDK-së. Në Junik, pa numërim të votave të diasporës, pritet të ketë balotazh mes Ruzhdi Shehut të LDK-së dhe Agron Kuçit të AAK-së. Në Mamushë KDTP-ja ka fituar pa balotazh. Në Zveçan, Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok e Shtërpcë ka fituar Lista Serbe. Në Deçan AAK-ja ka siguruar fitore pa balotazh, sikurse Vetëvendosja në Shtime. Balotazh mes Zenun Elezajt të AAK-së dhe Sokol Bashotës të PDK-së do të ketë në Klinë. Ndërsa në Obiliq, balotazhi do të jetë mes Xhafer Gashit të LDK-së dhe Halil Thaçit të Vetëvendosjes. Istogun e ka fituar LDK-ja pa balotazh, ndërsa Skenderajn PDK-ja. Komuna e Vitisë do të shkojë në balotazh mes LDK-së dhe LVV-së. Edhe në Rahovec do të ketë balotazh, por mes AAK-së dhe LVV-së. Ndërsa në Suharekë, AAK-ja do të jetë në balotazh me LDK-në. Kurse në Dragash në garë janë LDK-ja me PDK-në.