Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot veprimtarin e çështjes kombëtare në ShBA, Jim Xhema.
Kurti e ka falënderuar Xhemën për kontributin e tij derisa ka thënë se mërgata shqiptare në Amerikë ka rol të madh në zhvillimin dhe afrimimin e Kosovës edhe sot, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Më tej, kryeministri Kurti e njoftoi z. Xhema dhe të tjerët për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat përpara, por dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik e që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
Jim Xhema është dekoruar sot nga Presidentja Vjosa Osmani me medaljen Urdhri i Lirisë, për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Po ashtu, në nder të kontributit të tij, kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, njoftoi se rruga “A” ka marrë emrin “Jim Xhema”. /Reporteri.net/.