Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka vizituar sot ekspozitën e hapur në Galerinë e Arteve, me punime artistike nga nxënësit dhe mësimdhënësit e gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”. Tema e ekspozitës ishte “Diskriminimi – një realitet që duhet luftuar”.
Në një postim në rrjetet sociale, kryetari Bulliqi shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, duke vlerësuar talentin dhe vetëdijen e nxënësve për të adresuar një temë të ndjeshme për shoqërinë. Ai theksoi rëndësinë e luftimit të diskriminimit dhe bullizmit përmes edukimit, artit dhe angazhimit institucional.
“Përgëzoj nxënësit për punën e tyre, si dhe profesoreshën e artit Mirsime Zhitia dhe psikologen e shkollës Filloreta Gashi, për përkushtimin dhe udhëheqjen në këtë nismë domethënëse,” shkroi ndër të tjera Bulliqi.
Sipas tij, ky angazhim i të rinjve është një shpresë për ndërtimin e një shoqërie më të barabartë, më të drejtë dhe më humane.