Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se beson se do të arrijë të formojë Qeverinë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kurti këto deklarata i ka dhënë gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një takim me Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA”.
“Unë besoj se do të arrij të formoj Qeverinë. E pranoj sfidën dhe testin e kryetarit Emin Berisha. Pasi të publikohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, që pritet të publikohet javën e ardhshme, jam i gatshëm dhe i interesuar të ulem me partitë e tjera dhe të ecim përpara, për të arritur një zgjidhje të përbashkët”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se “ne jemi këtu për të funksionuar dhe për të ecur përpara”.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, besoj se do të më fillojë edhe afati për formimin e Qeverisë. Do të kem 15 ditë për ta formuar Qeverinë, dhe nëse nuk e arrij këtë brenda atij afati, atëherë zonja Presidente ka të drejtën ta japë mandatin për formimin e Qeverisë një subjekti tjetër në raundin e dytë”.
Megjithatë, ai u shpreh se kjo mbetet në diskrecionin e zonjës Osmani për të vendosur se çfarë do të ndodhë më pas.
“Është e ditur që në raundin e parë, mandati jepet për partinë fituese, në këtë rast unë si Kryeministër aktual dhe si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Raundi i dytë mbetet më i paqartë”.
Gjykata Kushtetuese, të martën, ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Kushtetuesja po ashtu ka obliguar deputetët që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komuniteti brenda 12 ditësh./Albanianpost.com







