Iu kthye sërish letrës së 2013-s të Hashim Thaçit për çështjen e dërgimit të FSK-së në veri – për ta shënjuar si të keqen zanafillore të problemeve të sotme të sigurisë në veri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e djeshme te Shkëlzen Gashi dhe Rron Gjjnovci, atë letër e quajti “shokun më të madh” të vet në pozitën e kryeministrin të shtetit.
Por, ka edhe një hile.
Para dy javësh, Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, tregoi që për çështjen e (mos)dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në zonat veriore të vendit, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci “me shkrim” ka rikonfirmuar zotimin e famshëm.
“Ne mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të FSK-së për zotimin e tyre të 2013’ës për të mos u vendosur në veri të Kosovës pa pëlqimin dhe autorizimin paraprak të FKOR-it. Ky zotim kohëve të fundit m’u konfirmua me shkrim nga (Ministri i Mbrojtjes, Ejup) Maqedonci”, tha Barduani në RTK2 më 12 dhjetor, raporton sot Nacionale.
Pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit që u dezignua si terrorist nga autoritetet kosovare, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qysh më 29 nëntor kishte kërkuar nga KFOR-i që të dërgonte ushtrinë në veri – vetëm për t’u refuzuar nga KFOR-i.
Se Forca Paqembajtëse e NATO-s, KFOR-i, kishte refuzuar kërkesën – qe konfirmuar nga Radio Evropa e Lirë përmes një përgjigjeje me shkrim.
“Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, pati thënë KFOR.
Kurti, ato ditë, në konferencë për media pati thënë se “e respekton” letrën e Hashim Thaçit, ndonëse do të donte të mos kishte qenë – dhe FSK-ne e vendosi të ruajë infrastrukturë jetike në zona të Kosovës qendrore.
Vetëm pas kësaj “kërkese” për dërgim të FSK-së në veri, del të ketë shkuar edhe “konfirmimi me shkrim” nga Maqedonci si formë rizotimi – që në lexim, vjen si ri-kërkesë për konfirmim nga KFOR-i. /Nacionale.com