Podujevë: 15 shërbime të reja në Poliklinikën Specialistike – investim prej 2.43 milionë eurosh
Poliklinika Specialistike në Podujevë ka nisur ofrimin e 15 shërbimeve të reja shëndetësore për qytetarët e Podujevës dhe gjithë trevës së Llapit. Kryeministri Albin Kurti tha se ky investim i Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me Komunën e Podujevës përmirëson drejtpërdrejt jetesën e qytetarëve, duke u mundësuar atyre të marrin shërbime specialistike pa pasur nevojë të udhëtojnë në Prishtinë.
Shërbimet e reja ofrohen në kushte bashkëkohore, me ambiente të rregullta, pajisje moderne, standarde të larta të pastërtisë dhe ndriçim të përshtatshëm. Vlera e përgjithshme e investimit arrin në afër 2.43 milionë euro.
Kurti ka uruar qytetarët për këtë zhvillim dhe ka përgëzuar Ministrinë e Shëndetësisë, ShSKUK-në, kryetarin e Komunës Shpejtim Bulliqi, si dhe ka falënderuar mjekët specialistë, infermierët dhe gjithë stafin e Poliklinikës Specialistike për angazhimin e tyre.