Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një propozim të ri, duke ftuar PDK-në dhe LDK-në që të propozojnë tre kandidatë të përbashkët për President me kushtin që ata të jenë jashtë skenës aktuale politike.
Për këtë Kurti dha deklarata pas ceremonisë së fillimit të punimeve për projektin “Ndërtimi i rrugës Korishë–Kabash” në Prizren ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Infrastrukturës Dimal Basha, shkruan Kosovapress, raporton KlanKosova.tv.
Kryeministri Albin Kurti për këto oferta tha nëse PDK dhe LDK propozojnë tre emra unifikues jashtë politikës, atëherë shumica do të mbështesë këta kandidatë.
“Pra le të na i sjellin deri nesër mbrëmë tre emra të personaliteteve unifikuese jashtë skenës aktuale politike sepse presidenti duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit, ashtu e kërkon kushtetueshmëria jonë dhe me atë rast, menjëherë këta të dy edhe në mbledhje që patëm mbrëmë thamë se tërhiqen”, tha ai.
Ai sqaroi se dy kandidaturat aktuale të shumicës, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, do të tërhiqeshin në rast se opozita ofron emra të pranueshëm për të gjitha palët, duke theksuar se presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e qytetarëve.
Kurti shtoi se në aspektin numerik, ekziston potencial i mjaftueshëm për të siguruar nënshkrimet e nevojshme në Kuvend të kandidatëve jashtë politikë të propozuar nga opozita.
Ai la të kuptohet se opozita nuk ka arritur të sigurojë mbështetje për kandidatët e saj dhe se një zgjidhje konsensuale është e domosdoshme.
Ndërkaq kanë mbetur edhe tri ditë deri në përfundimin e kohës së caktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.







