Kryetari i Lëvizjes Vetëvenedosje nga zyra e tij në qeveri si kryeministër në detyrë po i bën përpjekjet e fundit për t’i siguruar votat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë së re që synon ta udhëheqë edhe më tej ai.
Duda Balja, deputetja e zgjedhur boshnjake, u pa duke hyrë në qeveri për t’u takuar me Kurtin, teksa gazetarja e T7, Arianitë Zhegrova po fliste në një lidhje direkte në Frontal.
Balje nuk pranoi të deklarohej para takimit.
Gazetarja e T7 tha se ajo është takuar me Kurtin edhe më herët gjatë ditës.
Përveç saj, ajo tha se në qeveri ishin edhe deputetë tjerë të zgjedhur nga pakicat, si zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi e ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.
Deputeti egjiptian, Veton Berisha, tha më herët se ka “kontakte të vazhdueshme” me Kurtin, por shtoi se ende nuk e di se a do të votojë nesër apo jo. Ai dhe Balje janë në mesin e deputetëve minoritarë që nuk ia kanë premtuar ende votën Kurtit.
Në seancën e nesërme Kurti ka synuar edhe zgjedhjen e qeverisë, gjë që tani, një ditë para seancës, duket e vështirë.
LVV nuk ka thënë ende se ka një emër për kryeparlamentar, të cilin kjo parti duhet ta propozojë nesër në këtë seancë.
Për koalicion qeverisës, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk duan bashkëpunim me partinë e Albin Kurtit.
PDK-ja ka thënë se nuk do ta votojë as kryeparlamentarin e propozuar nga LVV-ja, LDK-ja thotë se dikush që s’i ka 61 vota nuk do të duhej të ishte fare kryetar i Kuvendit, ndërsa AAK-ja tha se mund ta votojë.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se kjo parti “do ta luajë rolin e vet” në krijimin e institucioneve të reja, por theksoi se ende nuk ka marrëveshje me LVV-në.
Nesër, Limaj beson se “do të ketë zhvillime”.