Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se janë angazhuar që në mënyrë sistematike të bëjnë përmirësimin e teksteve mësimore për nxënësit.
Kurti, në fjalimin e tij në takim me Komunitetin Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, është lavdëruar me punën e qeverisjes së tij për fëmijët.
“Për herë të parë kemi realizuar rishikimin dhe përmirësimin e teksteve mësimore për lëndët e gjuhës shqipe dhe matematikës për klasat nga 1 deri në 6. Siç dihet, janë identifikuar shumë mangësi, të cilat po përmirësohen me përkushtim dhe në mënyrë sistematike”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se edhe për fëmijët me nevoja të veçanta është duke u ofruar asistencë.
Duke siguruar që stigma dhe diskriminimi të mos kenë vend në shkollat e Kosovës dhe në shoqërinë tonë. Prandaj, po angazhohemi së bashku që këta fëmijë të jenë të mirëpritur në çdo mjedis të vendit tonë, si dhe në çdo hapësirë publike”.
“Qeveria jonë është duke punuar për të sjellë ndryshime thelbësore, që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve pa dallim”, ka deklaruar Kurti para të pranishmëve.
Së fundmi në Kosovë, doracakët për “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” kanë ngjallur debat për shkak të përmbajtjes dhe qasjes.
Disa grupe, përfshirë prindërit dhe organizatat konservatore, kanë shprehur shqetësim për përmbajtjen e materialeve dhe qasjen e përdorur në doracakë.
Po ashtu, ka pasur shqetësim mbi moshën e fëmijëve që duhet të mësojnë për këto çështje, me disa që argumentojnë se edukimi seksual duhet të fillojë më vonë, ndërsa të tjerë thonë se është e rëndësishme që fëmijët të kenë informacion të saktë që nga mosha më e re për të parandaluar abuzimin dhe për të promovuar shëndetin seksual.
Për këtë arsye, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kishte marrë vendim për rishikimin e tyre.







