Me premtime të ngjashme me ato të katër vjetëve më parë, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi plani-programin e Lëvizjes Vetëvendosje për periudhën 2025-2029. Numri më i madh i premtimeve që ai bëri për shëndetësi, arsim, ekonomi, infrastrukturë dhe kulturë do të duhej të ishin realizuar gjatë mandatit të tij 2021-2024.
Kurti paraqiti një pjesë të premtimeve në shëndetësi, ekonomi, arsim, infrastrukturë dhe kulturë, shumica e të cilave ishin të ngjashme me ato që kishte premtuar katër vjet më parë.
Ai premtoi se, në mandatin e ardhshëm, paga minimale do të arrijë në 500 euro dhe nuk do të tatohet.
Në shëndetësi, ai premtoi sigurime shëndetësore, investime në spitale rajonale dhe shtimin e buxhetit për listën e barnave esenciale deri në 100 milionë euro.
Në arsim, Kurti premtoi rishikimin e të gjitha teksteve shkollore, ndërtimin e një konvikti të ri dhe tre salla të reja për bibliotekën universitare brenda Qendrës së Studentëve.
Në infrastrukturë, ai premtoi përfundimin e të gjitha rrugëve që duhej të përfundoheshin brenda këtij mandati.
Në drejtësi, ai premtoi themelimin e Gjykatës për Çështje Familjare, krijimin e Prokurorisë së re të specializuar dhe themelimin e Zyrës për Hetimet Disiplinore.
Për bujqësinë, Kurti premtoi implementimin e një skeme sigurimi për fatkeqësitë natyrore dhe ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit.
Në ekonomi, ai premtoi shtesa për gjyshërit, punësimin e grave dhe rritjen e pagës minimale në 500 euro.
Ndërsa në siguri ai deklaroi se synojnë të përmirësojnë njësinë e dronëve dhe antidronëve, ndërsa buxhetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pretendojnë të e bëjnë 1 miliard euro.
Për vitin 2030, Kurti tha se synojnë që vendi të ketë përmbyllur me sukses të gjithë kapitujt e procesit të integrimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Krejt çka premtoi Albin Kurti
Ekonomia
“Do të rrisim pagat, pensionet dhe do të sigurojmë një rritje të qëndrueshme ekonomike”.
“Do të vendosim rekorde të reja në investime kapitale strategjike që nxisin aktivitetin ekonomik. Synojmë të krijojmë shumë vende të reja pune dhe të rrisim numrin e të punësuarve mbi gjysmë milioni deri në fund të mandatit. Do të kujdesemi për më shumë siguri, drejtësi, barazi dhe për një ulje të ndjeshme të nivelit të krimit dhe korrupsionit. Do të vazhdojmë të punojmë për një arsim dhe shëndetësi më cilësore”.
“Gjyshërit dhe gjyshet që kujdesen për nipërit dhe mbesat, kur prindërit janë të angazhuar në punë, do të përfitojnë nga një skemë subvencionimi. Ata do të marrin 100 euro shtesë mbi pensionin e tyre”.
“Gjatë gjashtë muajve të parë të mandatit, do të fillojmë me një program të ri për punësimin e grave. Programi ‘Punësimi Super Punë për Gra’ do të garantojë pagën minimale për gjashtë muaj për secilën grua që dëshiron të rikthehet në tregun e punës”.
“Gjatë mandatit të ardhshëm, paga minimale do të rritet mbi 500 euro dhe nuk do të tatohet”.
Prodhimtaria dhe Ndërmarrësia
“Përmes bankës zhvillimore dhe programit prej 1 miliard eurosh, do të mbështesim prodhimin dhe do të ndihmojmë bizneset. Banka zhvillimore do të ofrojë financim të drejtpërdrejtë për projekte strategjike dhe prioritete. Përmes nën-huazimeve nga sektori bankar, do të mbështesim ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe individët”.
“Për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme, do të implementojmë programin për mbështetjen e investimeve në kapacitete prodhuese në vlerë prej 1 miliard eurosh, duke garantuar kredi për investitorët. Do të ndërtojmë një sistem të ri digjital për faturimin elektronik biznes-biznes. Gjatë këtij mandati, do të prezantojmë valutën dixhitale të Kosovës, e cila do të përdoret për pagesa dhe do ta pozicionojë Kosovën në qendër të zhvillimeve bashkëkohore”.
Arsimi
“Së bashku me Shqipërinë, do të sigurohemi që mësimi i gjuhës shqipe të mbahet në të gjitha shtetet ku ka komunitete të mëdha shqiptare. Studentët që kualifikohen për programin e bursës ‘Mobiliteti për Studentë’ do të përfitojnë një bursë mujore, varësisht nga distanca mes vendit të studimit dhe vendbanimit të tyre”.
“Për arsimin dual dhe profesional, do të zhvillojmë një platformë për monitorimin e secilit të diplomuar. Do të shtojmë 10 profile të reja në arsimin dual”.
“Do të vazhdojmë dhe do të thellojmë procesin e rishikimit të të gjitha teksteve shkollore. Për disa lëndë, do të fillojmë përkthimin dhe dixhitalizimin e materialeve shkollore”.
“Në mandatin e ri, universitetet publike do të profesionalizohen, ndërsa do të nisë planifikimi për buxhetimin bazuar në vlerësimin e performancës. Do të ndërtojmë një konvikt të ri dhe tre salla të reja për bibliotekë universitare brenda Qendrës së Studentëve”.
Shëndetësia
“Çdo qytetar do të ketë mjekun e tij familjar dhe do të jetë i regjistruar në sistemin e kujdesit parësor shëndetësor. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për sigurimet shëndetësore dhe përfundimit të sistemit informativ shëndetësor, do të hapet rruga drejt funksionalizimit të plotë të sistemit të sigurimeve shëndetësore”.
“Në mandatin e ri do të decentralizojmë tërësisht shërbimet shëndetësore. Do të investojmë në çdo spital rajonal, në pajisje të reja, shërbime të avancuara dhe infrastrukturë. Do të ndërtojmë spitale të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj. Poliklinika specialistike do të hapen në Drenas, Sharrë, Podujevë, Viti, Rahovec dhe Leposaviq. Gjithashtu, do të hapim poliklinika specialistike stomatologjike në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe Podujevë”.
“Do të krijojmë një rrjet laboratorësh publikë që ofrojnë të gjitha llojet e analizave me kosto të përballueshme. Për herë të parë, do të prezantojmë listën e barnave të rimbursueshme, duke mbështetur qytetarët për shpenzimet e barnave jashtë spitalore. Për listën esenciale të barnave, do të shtojmë buxhetin deri në 100 milionë euro”.
Bujqësia
“Në mandatin e ri, fokusi ynë do të jetë rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë përmes mbështetjes së investimeve në teknologji dhe përmirësimit të mbledhjes dhe shpërndarjes së produkteve bujqësore. Do të krijojmë një skemë sigurimi nga fatkeqësitë natyrore për prodhimin bujqësor”.
“Do të përfundojmë projektin dhe më pas ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në të gjitha zonat e banuara. Do të fillojmë punën për ndërtimin e 5 digave të reja në Kosovë dhe 5 rezervave për ujë të pijshëm, ujitje dhe industri. Gjithashtu, do të përgatitemi për 4 diga të tjera përmes studimeve paraprake”.
Infrastruktura
“Do të fillojmë ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës dhe do të projektojmë linjën hekurudhore që lidh Prizrenin, Ferizajn, Gjilanin dhe Bujanocin. Do të përfundojmë ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë dhe autostradën Prishtinë-Gjilan me vazhdim deri te Dheu i Bardhë”.
“Gjithashtu, do të ndërtojmë rrugën e Dukagjinit, e cila lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin, Pejën dhe Istogun. Do të vazhdojmë gjithashtu me ndërtimin e rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë”.
“Rruga Dollc-Gjakovë dhe Kievë-Zahaq do të finalizohen. Një nga projektet madhore që do ta realizojmë është ndërtimi i portit”.
Drejtësia
“Themelimi i Gjykatës për Çështje Familjare do të sigurojë që rastet e adresuara nga qytetarët në këtë fushë të trajtohen me prioritet dhe shpejtësi. Në këtë mënyrë, do të lehtësohet qasja dhe efikasiteti në trajtimin e çështjeve familjare në sistemin gjyqësor”.
“Do të themelojmë Prokurorinë e re të specializuar për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke u fokusuar në luftën kundër aktiviteteve që dëmtojnë ekonominë dhe besimin në institucionet publike”.
“Zyra për Hetimet Disiplinore do të jetë një strukturë e re e pavarur, e cila do të garantojë balancë dhe kontroll efektiv mbi veprimet e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kjo zyrë do të rrisë llogaridhënien e këtyre institucioneve, duke forcuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”.
Siguria
“Krahas angazhimit në luftën kundër krimit të organizuar, do të rrisim kapacitetet dhe do të zbatojmë programe të reja për përmirësimin e sigurisë publike. Siguria rrugore, siguria në shkolla dhe policimi në komunitet do të jenë ndër prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë. Do të vazhdojmë të mbështesim policinë dhe institucionet e sigurisë përmes pajisjeve të specializuara dhe moderne, trajnimeve profesionale dhe pajisjes me armatim të përshtatshëm”.
“Njësia e dronëve dhe antidronëve do të përmirësohet ndjeshëm, duke siguruar që kufijtë e vendit të jenë të sigurt dhe të monitoruar me teknologjitë më të avancuara”.
“Për ushtrinë tonë, në katër vitet e ardhshme, do të alokojmë një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh. Do të zhvillojmë dronë ushtarakë ‘Made in Kosova’ dhe do të krijojmë njësi ushtarake të përbashkëta me forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë. Synojmë që deri në përfundim të këtij mandati të kemi 1 mijë gra dhe vajza të përfshira në radhët e ushtrisë, duke avancuar barazinë gjinore në sektorin e sigurisë”.
Integrimi Evropian
“Si demokracia më e avancuar në rajon, plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe mbartëse e vlerave të BE-së, vizioni ynë është të përgatisim vendin për të përballuar tregun konkurrues. Synimi ynë është që deri në vitin 2030, vendi të ketë përmbyllur me sukses të gjithë kapitujt e procesit të integrimit drejt anëtarësimit në BE”.
Projekti “Brezovica”
“Do të investojmë deri në 500 milionë euro në infrastrukturë rrugore, pista të reja dhe një rrjet bashkëkohor teleferikësh. Do të sigurohemi që Brezovica të bëhet e njohur jo vetëm në rajon, por edhe globalisht. Zhvillimi i këtij projekti do të realizohet përmes dy komponentëve kryesorë: komponenti i parë është ndërtimi i infrastrukturës përcjellëse, ndërsa komponenti i dytë përfshin ndërtimin dhe operimin e hotelerisë dhe gastronomisë”.
Arti dhe kultura
“Do ta lidhim krijimtarinë artistike me tregun e punës dhe do të sigurojmë që prodhimet kulturore të marrin kompensimin e merituar. Secili fëmijë do të ketë mundësinë për qasje në aktivitete kulturore”.
“Edhe gjatë mandatit të dytë do të vazhdojmë modernizimin e objekteve kulturore, duke i transformuar në qendra bashkëkohore për krijimtari dhe ndërveprim. Projekte madhore, si Teatri i Operës dhe Baletit dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor, do të shndërrohen në pika referimi globale”.
“Mandati i parë ishte i përkushtuar në shpëtimin e monumenteve, ndërsa gjatë mandatit të ri, për trashëgiminë kulturore do të kalojmë nga mbrojtja fizike në funksionalizim. Zonat arkeologjike do të vazhdojmë t’i bëjmë prona shtetërore. Qendrat historike të Kosovës do të rijetësohen në shërbim të turizmit, në bashkërendim me banorët dhe bizneset e atyre pronave”.
“Do të kujdesimi për nisjen e punës në kullat e rezistencës brenda kompleksit memorial “Adem Jashari”, në Prekaz”.Albanian Post