https://etc-ks.com/magazina.php https://etc-ks.com/magazina.php https://etc-ks.com/magazina.php

Kurti takohet me Borrellin në Paris

ADVERTISEMENT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në Paris.

Takimi mes tyre ka filluar nga ora 10:30.

Pas Kurtit, Borrell do të takohet edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Siç ka njoftuar dje Bashkimi Europian, takimet e Borrellit me dy liderët ballkanikë po bëhen për shkak të situatës së krijuar në Kosovë, si dhe diskutimin mbi avancimin e dialogut që lehtësohet nga BE.

d 1

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, gjatë ditës së djeshme theksoi se objektivi kryesor i këtyre takimeve është që të vazhdohen përpjekjet e BE-së për të ndihmuar palët që t’i ulin tensionet, si dhe të bëhen përparime në Dialog.

“Nuk do t’ua them se cili do të jetë mesazhi kryesor ngase ky mesazh kryesor do t’u përcjellet atyre në këto takime, por ama mund t’ju them se cili është objektivi kryesor i këtyre takimeve. Objektivi kryesor është që të vazhdohen përpjekjet e BE-së që të ndihmojë palët për të ulur tensionet dhe të bëhen përparime në Dialogun e Lehtësuar nga BE-ja. Pra, kjo është arsyeja kryesore”, tha Stano.

Po dje, bashkë me presidenten Osmani, Kurti ka pasur një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron në Pallatin Elysee.

Kurti ka thënë se me Macronin kanë folur edhe për propozimin franko-gjerman, duke thënë se shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

“Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka shkruar Kurti.

Për këtë takim ka njoftuar edhe Presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se me Macronin kanë folur për procesin e dialogut dhe situatën në veri.

“Diskutuam edhe veprimet destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtar, për paqe, stabilitet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Ndërkaq, Presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Osmani.

Poste të ngjashme

Lajmi i fundit