Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur të prishë koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Sipas burimeve të KosovaPress-it, vendimi është marrë në mbledhjen e kryesisë së degës së LDK-së në Mitrovicë, e cila ka përfunduar rreth 20 minuta më parë.
Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë 22 anëtarë të kryesisë, ku 19 kanë votuar pro prishjes së koalicionit. E derisa ishte një abstenim, Valon Bahtiri dhe Avni Syla ishin kundër prishjes së koalicionit.
Sipas burimeve, arsyeja kryesore e prishjes së koalicionit lidhet me emërimin e drejtorëve të rinj në Komunën e Mitrovicës së Jugut nga kryetari Faton Peci, pa dakordim me partnerin e koalicionit.
Marrëveshja për bashkëqeverisje ishte arritur para betimit të Faton Pecit si kryetar i Mitrovicës së Jugut, ndërsa në kuadër të kësaj marrëveshjeje ishte zgjedhur edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi.







