Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e kësaj partie në lidhje me mungesën e materialit të pasaportave.
Në një konferencë për media, Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, tha se po bëhen 5 muaj që qytetarët s’kanë mundësi të nxjerrin pasaporta të reja dhe as të aplikojnë për to.
“Liria e udhëtimit është një e drejtë bazike, s’është luks. Në kohën kur ne të gjithë jemi mobilizuar, në vend por edhe mekanizmat ndërkombëtar të BE-së për të na ofruar liberalizimin e vizave, shteti s’ka aftësi t’i pajisë qytetarët me pasaporta.”
“Mungesa e aftësisë për planifikim të duhur ka bërë që këto materiale të mungojnë për muaj të tërë”, është shprehur Azemi në një konferencë për media.
Tutje, ai tha se për shkak të mungesës së pasaportave, mërgimtarëve të Kosovës po iu rrezikohet puna dhe qëndrimi në vendet ku jetojnë.
“Pra, kemi të bëjmë me një dëshmi për paaftësinë e këtij pushteti për të qeverisur në të mirë të qytetarëve”.
“Andaj, e shohim si të drejt që ta thërrasim qeverinë në transparencë dhe sqarim që t’ua shpjegojnë qytetarëve të Kosovës se pse s’ka pasaporta, pse ka vonesa dhe presim që këto përgjigje t’i marrim nga ta”, është shprehur Azemi.
Në fund të këtij muaji pritet të fillojë furnizimi me material për pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme sot në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net.
“Ministria e Punëve të Brendshme, ju njofton se në fund të janarit pritet të filloj furnizimin me material. Me ketë rast Ministria e Punëve të Brendshme shprehë keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në përgjigjen e tyre.







