I gjendur përballë kritikave për ‘eliminimin’ politik nga struktura e partisë të figurave eminente të LDK-së, siç është edhe Agim Veliu, Lumir Abdixhiku ka nisur lidhjen e disa koalicioneve, që më shumë i zënë vend në listën për deputet se sa që i sjellin vota të reja, raporton Veriu.info.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar një koalicion të arritur me AKR-në, të cilin e ka nënshkruar U.D. Kryetari i kësaj partie, Veseli Makolli.
Sipas marrëveshjës në listën e LDK-së do të jenë tre kandidatë të AKR-së për deputet.
Mirëpo, vetëm pak javë më parë LDK dhe AKR kanë qenë në koalicion në zgjedhjet lokale në Prishtinë. Emri i Vesel Makollit ishte pjesë e listës së LDK-së për asamblistë, ku kishte pësuar një debakël total dukë marrë vetëm 197 vota, raporton Veriu.info.
Një kryetar parti që nuk arrin të bëhet asamblist komunal në tetor, çka mund t’i ofroj LDK-së më 28 dhjetor?
Dëm të madh në vota AKR-së në terren i ka shkaktuar tërheqja e Behgjet Pacollit nga drejtimi i AKR-së dhe praktikisht edhe nga politika, i cili ishte një lider shumë vjeçar i kësaj partie por me shkëlqim të humbur. Kjo pasi që Pacolli për herë të parë në zgjedhje kishte marrë pjesë më 2007, duke fituar 12.3% vota, gjegjësisht 13 ulëse të deputetëve.
Prej asaj kohe kishte filluar rënia e lirë e AKR-së dhe Pacollit, sa që në zgjedhjet e vitit 2019 dhe 2021 ai kishte kërkuar shpëtim politik në listat e kandidatëve të NISMËS dhe LDK-së, për t’u tërhequr nga gara në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025./Veriu.info







