Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokratike, ka thënë se koalicioni Kosova Fituese do të jetë lista që do t’i fitojë zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në një tubim me qytetarë në Klinë, ai është shprehur se lista e koalicionit Kosova Fituese ka burra dhe gra të suksesshëm.
“Në këtë koalicion është historia, janë veprat, janë gra e burra të cilët në zanatet e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyer në komunat e tyre ku punojnë dhe për vendin e tyre. Me shumë krenari dhe zemër plot këtë muaj kemi lëvizur ane kënd Kosovës duke i prezantuar burrat dhe gratë që e kanë atë që e përbashkon tërë Kosovën, andaj ne jemi lista fituese e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Limaj.
Limaj ka theksuar se Qeveria Kurti për katër vjet ka shpifur dhe mashtruar, dhe nuk ka punuar në të mirë të qytetarëve të vendit.
“Klina e Dukagjini e Kosova duhet t’i thonë jo shpifjes, jo përçarjes dhe jo mashtrimi. Klina dhe e tërë Kosova duhet t’i thotë jo atyre që tentojnë të përmbysin e shtrembërojnë historinë. Atyre që nga mëngjesi dhe deri në darkë nuk dijnë asgjë pos shpifjeve. Atyre që për katër vjet nuk bënë asgjë, ata që nuk kanë asgjë të shfaqin për katër vjet qeverisje, dhe asnjë projekt”.
“Ata edhe në fushatë treguan atë dinë të bëjnë më së miri të shpifin. Ne e refuzojmë atë logjikë të qeverisjes, ne refuzojmë atë logjikë të komunikimit e bashkëbisedimit, për ne qytetari i Kosovës është i shenjtë, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë të bashkohet”, tha Limaj.