Sot në Ferizaj është zyrtarizuar kandidatura e Enver Halitit për kryetar të Komunës, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosjes, në një tubim të mbajtur me pjesëmarrjen e gjerë të strukturave drejtuese të partisë dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve.
Haliti u prezantua si kandidati që do të udhëheqë Ferizajn drejt një kapitulli të ri zhvillimi, me vizion të qartë, përvojë të dëshmuar dhe integritet të palëkundur.
Ai u cilësua si njeriu i duhur për ta transformuar qytetin në një model të zhvillimit modern, me fokus në infrastrukturë të avancuar, ekonomi të qëndrueshme, arsim e kulturë të fuqizuar dhe qeverisje transparente e të drejtë.
Mbështetjen për kandidaturën e Halitit e shprehën edhe liderët e Lëvizjes Vetëvendosjes, përfshirë Kryeministrin Albin Kurti, Sekretarin Organizativ Alim Rama, Ministrin e Financave Hekuran Murati, deputetët Valon Ramadani dhe Adelina Grainca, si dhe ish-deputetët Alban Bajrami e Shqipe Metaj-Isufi. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe Zëvendësministri Vigan Qorolli dhe përfaqësues të tjerë të strukturave lokale të partisë në Ferizaj.
“Kjo është koha për fitoren e madhe! Ferizaj meriton më shumë meriton një udhëheqje që shikon larg, që punon me ndershmëri dhe vendosmëri për çdo qytetar”, u tha ndër të tjera në fjalimet e mbajtura gjatë ngjarjes.
Lëvizja Vetëvendosjes riafirmoi synimin për të fituar zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe për të sjellë një qeverisje të re, e cila do të fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm dhe barazi për të gjithë qytetarët.
“Bashkë për qytetin. Bashkë për fitoren. Bashkë për Kosovën!”, ishte mesazhi përmbyllës i kësaj ngjarjeje të rëndësishme politike në Ferizaj./IndeksOnline/