As për seancën e radhës konstituive që pritet të mbahet nesër (e premte), Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ndryshuar emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Albulena Haxhiu mbetet kandidatja e propozuar nga partia më e votuar në vend për kryeparlamentare.
Kështu kanë bërë të ditur për Arbresh.info dy deputetet e Vetëvendosjes, Albena Reshitaj dhe Fitore Pacolli-Dalipi.
“Koalicioni fitues VV–Guxo–Alternativa ka vendosur unanimisht që kandidatja për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jetë deputetja Albulena Haxhiu. Emri i saj mbetet i pandryshuar. Urojmë që nesër të arrihet konstituimi i Kuvendit dhe të fillojë sa më parë puna institucionale”, ka thënë Reshitaj në një prononcim për Arbresh.info.
“Jo nuk e ndryshojmë emrin e kandidatit. Albulena Haxhiu mbetet kandidatja jonë për kryetare të Kuvendit”, tha shkurt Pacolli për Arbresh.info.
Kujtojmë se emri i saj u hodh në votim tri herë, por Albulena Haxhiu në asnjërin rast nuk i mori 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare e Kosovës.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila nisi më 15 prill, është ndërprerë pesë herë dhe ajo mund të vazhdojë jo më larg se 48 orë nga ndërprerja.
Seanca e radhës pritet të mbahet të premten dhe fillon nga ora 11:00./Arbresh.info