Njëzetegjashtë vjet më parë bota mësoi emrin e Reçakut – fshatit të vogël që pak kush kishte dëgjuar për të. Aty po kryhej gjenocid nga forcat policore dhe ushtarake serbe, të cilat vranë 45 civilë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e të moshuar. Të gjitha të dokumentuara, por ende Serbia e mohon masakrën e 15 janarit 1999 e cila shënoi kthesën e madhe për historinë e Kosovës.
Zyrtarët e lartë serbë, nisur nga presidenti Aleksandar Vuçiq, në vazhdimësi e kanë mohuar masakrën duke e quajtur “inskenim” e “gënjeshtër”. Kjo nuk është diçka e re, meqë politikanët në Serbi, historikisht kanë tentuar të shtrembërojnë të vërtetën në Ballkan.
Por që për masakrën e Reçakut flasin raporte ndërkombëtare e burime arkivore të cilat dëshmojnë tmerrin që ndodhi në këtë fshat, e thotë edhe profesori i Historisë, Selim Bezeraj.
“Edhe Pashiqi, ai që ishte shumë më herët se sa ky [Vuçiqi] udhëheqës i Serbisë, ka mohuar krimet që kanë kryer serbët në Kosovë. Kemi mohimin e krimeve edhe në Luftën e Dytë Botërore që bëjnë serbët në Kosovë. E mohojnë edhe Rankoviqi edhe Tito. Dhe natyrisht këta të fundit janë bashkëpjesëmarrës në krimet në Kosovë, për shkak se ata kanë qenë para 26 viteve pjesë e qeverisë kriminale të Millosheviqit dhe natyrisht që këta e mohojnë, por faktet janë tjera, argumentet janë tjera. Sepse pikërisht këta i kanë kryer të gjitha këto krime dhe këtë masakër të 15 janarit në Reçak. Në politikën e tyre të Serbisë është gjithmonë praktikë ajo që dëshirojnë që faktin ta mbulojnë me gënjeshtër, me falsifikim”, shton ai.
I pari që i tha botës që në këtë fshat të Shtimes po kryhet krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Ai vizitoi Reçakun një ditë pas masakrës dhe pasi pa trupat e civilëve tha se “ky është një krim i rëndë kundër njerëzimit”.
Profesori universitar thotë se ajo çfarë ndodhi në fshatin Reçak është kryer me plan të qartë nga Serbia.
“Masakra e Reçakut është një nga masakrat më të rënda që ka ndodhur nga regjimi i Serbisë në Kosovë. Kjo masakër është e kryer plotësisht mbi planet që ka pasur Serbia gjithmonë ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Historikisht është e dokumentuar që krimet që ka kryer Serbia janë me plane. Nuk janë aty për aty dhe edhe masakra e Reçakut është një nga ato që është kryer prej Serbisë…Shto këtu që aty kanë qenë të involvuar edhe pjesa intelektuale edhe pjesa fetare-religjioze sepse bekimin e këtyre krimeve e ka bërë kisha që është rast unik në botë që nuk ka ndodhë asnjëherë që të jetë diçka e tillë, sepse ata e involvojnë kishën si diçka nacionale”, deklaron ai.
Njëzetegjashtë vjet pas kësaj ngjarje të tmerrshme, asnjë person nuk u dënua drejtpërsëdrejti për krimet në Reçak.
Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në territorin e ish-Jugosllavisë në 2003 ngriti një aktakuzë kundër disa eprorëve serbë për krimet e kryera kundër popullatës shqiptare në Kosovë në vitin 1999.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë se nuk janë dënuar asnjëherë ata të cilët dhanë urdhër vrasjen e civilëve shqiptarë.
“Ne kemi një aktgjykim në Hagë, i cili dënon njerëz të parëndësishëm sa i përket masakrës së Reçakut. Por ne si IKD kemi thënë vazhdimisht, është e vërtetë që është shumë e vërtetë të ndiqen penalisht kryerësit e këtyre veprave penale por nëse do të kishim një qasje institucionale, nëse do të kishim një qasje shumë më gjithëpërfshirëse, të gjithë e dimë por e dinë edhe Prokuroria Speciale që masakrat që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës dihet qartë se kush ka qenë komandant i policisë, komandant i forcave ushtarake, komandant i forcave paramilitare, do të thotë grupet kriminale paraushtarake që kanë kryer krimet në Kosovë. Dhe nëse do të kishim më shumë aktakuza që e prekin zingjirin komandues, në një mënyrë do të rritej edhe llogaridhënia edhe përgjegjësia e personave të cilët kanë qenë urdhërdhënës në këto masakra”, deklaron Miftari.
Edhe Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë se ende nuk është ofruar drejtësi për viktimat e Reçakut.
“Fare pak apo aspak është ofruar drejtësi për viktimat civile të cilat janë vrarë 26 vjet më parë në masakrën e Reçakut. Sigurisht që këtu një prej problemeve apo sfidave është mos bashkëpunimi i Kosovës dhe Serbisë dhe personat të cilët i kanë bërë këto krime nuk gjenden në Kosovë. Kohëve të fundit Prokuroria Speciale me hyrjen në fuqi të Ligjit për Gjykim në Mungesë janë ngritur disa aktakuza në mungesë dhe vitin e kaluar, në dhjetor të vitit të kaluar e kemi pasur edhe aktgjykimin e parë në mungesë për krimet e luftës të kryera në Komunën e Shtimes. Aktakuza të tjera lidhur me masakrën e Reçakut nuk janë proceduar pranë gjykatave të Kosovës”, shprehet ai.
Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.
Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe – bombardime këto të zgjatën 78 ditë. Fundi i tyre u shënua më 10 qershor 1999 kur edhe u miratua Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Pas kësaj, mbi 800.000 shqiptarë të Kosovës – dhunshëm të dëbuar, filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Shifrat flasin për mbi 13.000 civilë të vrarë gjatë luftës së viteve 1998/99 nga forcat serbe dhe për mbi 6.000 të zhdukur me dhunë, 1.600 prej tyre vazhdojnë të jenë të pagjetur.