Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një ceremoni të veçantë në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ku prehen të rënët e forcave të armatosura amerikane.
Në këtë ceremoni, Maqedonci, i shoqëruar nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, vendosi një kurorë me lule pranë varrit të ushtarit të panjohur. Ky akt solemn nderoi sakrificën dhe kontributin e forcave amerikane në mbrojtjen e lirisë dhe të vlerave universale.
Ky moment ka shënuar fillimin e një vizite që do të kulmojë me konsultime bilaterale në fushën e mbrojtjes. Gjatë këtyre bisedimeve, do të përcaktohen prioritetet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në këtë fushë të rëndësishme.