Qeveria e Kosovës ka miratuar shqyrtimin e nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, për Shkëmbim dhe Mbrojtje të Ndërsjellë të Informacionit të Klasifikuar.
Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se ky është një hap i rëndësishëm me ndikim në disa aspekte si në forcimin e bashkëpunimin dy palësh, sigurimi i informacioneve të klasifikuara, përmirësimi i kapaciteteve institucionale dhe mbështetja për integrim euroatlantik, përcjell Telegrafi.
“Në përputhje më prioritetet strategjike të Republikës së Kosovës për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmbushjes së standardeve të sigurisë në nivel evropian e më gjerë, Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK) në kuadër të mandatit të saj ligjorë ka vendosur që në marrëdhënie me autoritetet homologe me theks të veçantë nga vendet anëtare BE-së dhe të NATO-s. Në dritën e saj AMIK ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të vendosjes se kontakteve me NSA-n nga shteti i Sllovenisë, ku për rrjedhojë arrihet harmonizimi i vullnetit dhe gatishmëria nga të dyja palët për të avancuar tutje arritjen e marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë. Arritja e marrëveshjes së sigurisë në fushën e mbrojtjes dhe informacionit të klasifikuar mes Kosovës dhe Sllovenisë është hap i rëndësishëm me ndikim në disa aspekte, forcimi, bashkëpunimi dy palësh, sigurimi i informacioneve të klasifikuara, përmirësimi i kapaciteteve institucionale dhe mbështetja për integrim euroatlantik”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/