15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Të gjitha këto mostra të Astrit Deharit ishin vërejtur se mungojnë në dhjetorin e vitit të kaluar. Megjithatë, Nacionale dje ekskluzivisht raportoi se mostrat e urinës dhe të lukthit janë gjetur sërish. Tashmë mungojnë 15 epruvetat e mostrave të gjakut.
Çudia doli të jetë se një pjesë e mostrave të Astrit Deharit u gjetën në një nga frigoriferët i cili nuk monitorohet nga kamerat e sigurisë. Kështu kanë bërë të ditura burime të sigurta për gazetën Nacionale.
“Komisioni per invertaizim i kanë gjetë tek një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë. Dje i kanë gjetë nga fundi i orarit të punës. Esenca është që frigoriferi nuk mbulohet prej kamerave. Një pjesë e mostrave janë gjetë, por jo të gjitha.” – ka thënë burimi për Nacionalen.
Sipas sinjalizuesve të Nacionales brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë vetëm 3 persona të cilët kanë pasur qasje në pjesën ku janë gjetur mostrat e Deharit. Janë pikërisht disa nga zyrtarët të cilët ishin suspenduar me vendim nga ministrja Albulena Haxhiu, pasi ishin zhdukur mostrat.
Flutura Goga, Nardi Sheqergjiu, Anila Lakna e Ilirjana Shala ishin zyrtarët e suspenduar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, të cilët më pas u kthyen në punë.
Madje, Drejtoresha e Laboratorit ku u zhdukën mostrat e Deharit, e ku më pas edhe u gjetën një pjesë e tyre, ka punuar pa licencë për vite të tëra. Për këtë kishte raportuar ekskluzivisht gazeta Nacionale.
Burimet e Nacionales kanë konfirmuar se me gjetjen e mostrave janë njoftuar edhe organet e rendit, të cilat kanë zhvilluar hetime dhe kanë marrë xhirimet e kamerave të komplet objektit.
Megjithatë, për gjetjen e një pjese të mostrave të Deharit nuk ishte në dijeni familja dhe as avokati.
Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, në një prononcim për Nacionalen ka akuzuar prokurorin e rastit, Afrim Shefkiu për posedimin e mostrave të djalit të saj.
“A e keni pyet prokurorin e rastit? A keni bisedu me to? Pyetne prokurorin e rastit se ai i ka pas, mostrat i ka marrë edhe i ka kthy. Kush ka pas me i pas tjetër, unë si kom marrë të shpia. Pyetne prokurorin ai ju tregon se ai e din ku jon kon mostrat, ai i ka marrë në pyetje njerëzit, ai e din krejt punën, neve askush nuk na ka lajmëru asgjë, nga ju e morëm vesh.” – ka thënë Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit për Nacionalen.
Avokati Tomë Gashi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nëse dihet që janë gjetur, “a dihet kush është nën hetime apo në burg për zhdukjen e mostrave”.
“Po ju nese e dini qe kokan gjete mostrat e Astritit , a mos e dini kush i gjeti. A mos e dini ku u gjeten, a mos e dini a u ndrruan tiketat e afatshmerise se eprovetave. Apo jan ato origjinale te nentorit 2016. A mos e dini kush eshte pergjegjes per zhdukejn e kushe eshte ”hero” qe i gjeti.” – ka shkruar ai.
Në shkrimin e tij, Gashi ka thënë në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka shumë punë policia dhe prokuroria.
Për gjithë këto zhvillime, as Policia e as Prokuroria nuk kanë pranuar të japin asnjë informacion. Edhe burimet e Nacionales të afërta me zhvillimet, kanë thënë se është tentuar që e gjithë situata të mbahet sa më shumë sekret.
Zhdukja e mostrave dhe drejtoresha pa licencë
Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar kishte nxitur reagime të shumta në vend.
Ministrja e Drejtësisë kishte suspenduar katër zyrtar të IML-së për këtë çështje, ndërsa prokuroria kishte nisur hetimet, duke intervistuar njerëz.
Në muajin e kalua Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se një numër i konsiderueshëm i personave janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve, për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.
“Ndërkaq, për rastin e zhdukjes së provave në çështjen Dehari, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve. Po ashtu, ju informojmë se kemi ndërmarr veprime konkrete që do të na ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore. Për momentin nuk kemi ende persona të dyshuar në këtë çështje.” – kishte thënë zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu.
Drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë ku ishin zhdukur mostrat, Flutura Goga, kishte punuar në këtë laborator për vite të tëra pa licencë. Kjo ishte konstatuar nga Inspektorati Shëndetësor.
Inspektorati Shëndetësor ka gjetur se përpunimi i gjakut dhe urinës konsiderohet shërbim shëndetësor, e që sipas Ligjit për Shëndetësi kërkohet licencë. Në raportin e Inspektoratit Shëndetësor të cilin e ka siguruar ekskluzivisht gazeta Nacionale, thuhet se Goga-Bajrami nuk ka poseduar licencë për kryerjen e këtyre punëve.
“Është konstatuar se Znj Flutra Goga -Bajrami ishte e punësuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore gjegjësisht në Labaratorin e Toksikologjisë si udhëheqëse ku edhe përpunonte analizat toksikologjike për kufoma, por në raste të veçanta edhe persona të gjallë (viktimat të dhunës fizike dhe seksuale) përpunonte gjak dhe urine”, thuhet në këtë raport të Inspektoratit Shëndetësor.
“Meqenëse përpunimi i gjakut dhe urines konsiderohet si shërbim shëndetësor atëherë neni 71 i Ligjit nr 04/L-125 Për Shëndetësi e ka paraparë licencimin e profesionistëve shëndetësorë sipas profileve të përcaktuara në nenin 69 të këtij ligji, ndërsa në paragrafin 4 të nenit 71 të këtij Ligji shprehimisht thuhet: ‘Profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licensës’”, thuhet më tutje në këtë raport të Inspektoratit Shëndetësor të cilin e ka siguruar Nacionale.