Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me rënien e Kosovës për 24 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, duke e konsideruar këtë si një shqetësim të drejtë dhe të justifikuar që, sipas tij, i adresohet Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
Përmes një postimi ne facebook, Mustafa theksoi se “Qeveria Kurti, e cila nuk do të vinte në pushtet pa mbështetjen e një pjese të mediave – shpesh përtej kritereve profesionale dhe etike – tani po kontribuon në dëmtimin e fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.”
Ai shtoi se qytetarët votuan jo mbi bazën e rezultateve konkrete, por për shkak të perceptimeve të krijuara nga media: “Ata që morën mbi 50% të votave nuk kishin ndërtuar asnjë fabrikë, rrugë apo shkollë dhe nuk kishin sjellë asnjë njohje të re ndërkombëtare.”
Mustafa kritikoi edhe disa media për ndryshim të qëndrimeve në zgjedhje, duke kaluar në përkrahje të partive si LDK, PDK dhe AAK, jo për arsye parimore, por nga frika ndaj asaj që ai e cilësoi si “regjim autoritar i VV-së.”
Ai përfundoi se liria e mediave është dëmtuar jo vetëm nga pushteti, por edhe nga vetë mediat që, sipas tij, kanë zëvendësuar profesionalizmin me “sindromin e adhurueseve politikë”, ndërsa pasojat i bart Kosova./IndeksOnline/