Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën kanë arritur të ndalojnë një furgon në Viti, në të cilin kishte produkte pa fatura dhe pa prejardhje.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se automjeti ishte me targa vendore dhe drejtohej nga një kosovar.
Mallrat, me vlerë mbi 5,000 eurove sipas çmimeve të tregut, u sekuestruan nga autoritetet doganore.
“Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën mallra tekstil, pajisje elektronike, mbathje sportive, të gjitha pa prejardhje dhe pa fatura, përfshirë produkte të markave tregtare të mbrojtura, që dyshohet se janë të falsifikuara”.
“Hetimet e para kanë konstatuar se mallrat ishin transportuar përmes dy kompanive të postave të shpejta të cilat dyshohet se janë përdorur për dërgimin e paligjshëm të këtyre mallrave. Pasi pronari i automjetit nuk posedonte dokumentacion për mallrat, ai u shoqërua bashkë me automjetin në Terminalin Doganor në Ferizaj”, thuhet në njoftim.
Rasti është duke u trajtuar nga Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.