Podujevë, 24 shtator 2025 – Në kuadër të projektit “Ngritja dhe zhvillimi i bizneseve”, Komuna e Podujevës ka mbështetur sot me pajisje 39 start-up dhe biznese ekzistuese, të cilat kryesisht udhëhiqen nga vajza dhe gra.
Mbështetja e Komunës, e realizuar edhe me participim nga përfituesit, përfshin gjithsej 99 pajisje profesionale, si makina për shtypje të nxehtë, hekur profesional me avull, makina qepëse industriale iberdek, overlluk dhe makina qepëse të drejta.
Në ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve morën pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, dhe drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Vigan Salihu. Kryetari Bulliqi uroi përfitueseve suksese në punën e tyre dhe theksoi se mbështetja e Komunës për bizneset lokale, sidomos ato që udhëhiqen nga gratë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Vlera totale e projektit që përfshin pesë lloje pajisjesh me 99 copë është 65,090 euro, ndërsa një biznes ka përfituar deri në tri pajisje.







