Në kuadër të aktiviteteve që janë organizuar për Ditën Ndërkombëtare të Librit, në Galerinë e Arteve është hapur Ekspozita me libra. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Podujevës, të cilët kanë prezantuar esetë e poezitë e tyre dedikuar kësaj dite.
Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, tha se leximi i librit është mjet i pazëvendësueshëm që shërben për edukimin dhe arsimimin e të gjithëve.
Ajo theksoi se në këtë Ditë nuk duhet harruar autorët e librave që dijen e tyre e lanë si trashëgimi të jashtëzakonshme për njerëzimin që do të na shërbejë sa të jetë jeta.
Me një fjalë rasti të pranishmit i ka përshëndetur edhe Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica.
Në këtë aktivitet me mirënjohje janë nderuar lexuesit e dalluar të Bibliotekës së Qytetit: Erina Bejta, Eugen Kodraliu, Raonar Ahmeti, Zani Çitaku, Arbana Llumnica, Ermira Sfishta dhe Fortesa Çiaku.
Për nder të Ditës së Librit, regjistrimi në Bibliotekë më datën 24 prill do të jetë pa pagesë në të dy sektorët.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 2 maj 2025.
23.04.2025, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim