Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, së bashku me drejtoreshën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valbona Ibishi, morën pjesë në promovimin e librit monografik të autorit Adem Ajvazi, kushtuar figurës së mjekut llapjan, Dr. Shaqir I. Shaqiri.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, nënkryetari Restelica vlerësoi lart kontributin e Dr. Shaqirit, duke theksuar rolin e tij në shërbim të qytetarëve dhe të kombit në periudhat më të vështira.
“Në ato vite, të jesh mjek nuk nënkuptonte vetëm të shëroje njerëz. Nënkuptonte të përballeshe çdo ditë me padrejtësinë, me mungesën e kushteve, me presionet dhe me pasigurinë. Nënkuptonte të mbroje dinjitetin njerëzor dhe kombëtar përmes profesionit tënd”, tha Restelica.
Në emër të familjes Shaqiri, foli djali i Dr. Shaqir Shaqirit, Edon Shaqiri, i cili falënderoi institucionet komunale për nderimin e figurës së babait të tij.
“Do të doja që me këtë rast ta falënderoja kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarin Fahri Restelica dhe drejtoreshën Valbona Ibishi për nderimin institucional që ia kanë dhënë figurës së Shaqir Shaqirit. I falënderoj edhe të gjithë kolegët dhe miqtë. E falënderojmë edhe autorin e librit Adem Ajvazi për kontributin e tij në ruajtjen e kujtesës për figurën e babait, vëllait dhe gjyshit tonë”, tha Edon Shaqiri.
Profesori Isuf Sadriu tha se veprimtaria dhe kontributi i Dr. Shaqirit do të kujtohen gjatë si pjesë e historisë së kohëve më të vështira për vendin.
“Kontributi i doktorit do të jehojë gjithmonë në qytetin tonë. Ai doli në krye të detyrës në momentet më të vështira”, u shpreh Sadriu.
Ndërkaq, ish-kolegu i tij, mjeku Fadil Dabinovci, falënderoi autorin Adem Ajvazi për iniciativën e dokumentimit të jetës dhe veprës së Dr. Shaqirit në një monografi.
“Falë profesorit Adem Ajvazi, kujtimi për doktor Shaqir Shaqirin do të jetojë edhe tek të gjithë ata që nuk e patën fatin ta njohin së afërmi. Edhe pas tri dekadash mungesa e Dr. Shaqirit ndihet, por kujtimi për të mbetet i gjallë, sepse njerëzit e mirë nuk jetojnë vetëm në kohën e tyre, por kujtohen gjithmonë”, tha Dabinovci.
Për jetën dhe personalitetin e Dr. Shaqirit foli edhe Arif Muçolli, mik dhe bashkëpunëtor i tij, i cili ndau kujtime nga rrugëtimi i përbashkët dhe veçoritë që e karakterizonin atë.
“Shaqën e kam pasur shok klase, shok të shpirtit. Ai ka qenë i veçantë, njëri ndër nxënësit më të mirë në klasë. Ka qenë i përmbajtur dhe humanist i madh. Për aq kohë sa jetoi la një kontribut të pashlyer për vendin tonë. Ishte human, ishte solidar. Nuk u ndal asnjëherë. Punoi gjithmonë dhe do të jetojmë me krenari për të, sepse puna e tij na bëri krenarë të gjithëve”, tha Muçolli.
Në fund të promovimit, të pranishmëve iu dhurua nga një kopje e librit me nënshkrimin e autorit Adem Ajvazi.







