Deklarimi i rregullt i pasurisë për vitin paraprak (1 janar – 31 dhjetor 2024) do të fillojë, më 1 mars nesër dhe do të zgjasë deri në fund të muajit mars.
Yll Buleshkaj drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka thënë për Indeksonlinen se më shumë se 11,000 zyrtarë të lartë dhe, zyrtarë publikë, duke filluar nga presidentja e vendit e deri te zyrtarët që zhvillojnë hetime, licencime dhe verifikime, janë të detyruar të deklarojnë pasurinë.
Sipas tij, zyrtarët duhet të deklarojnë: Të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, të gjitha të hyrat, donacionet për parti politike dhe OJQ, kriptoasetet, bizneset, angazhimet, asocimet në organizata dhe të tjera.
“Zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë brenda afatit do të ndëshkohen me gjobë mandatore prej 30% të pagës mujore, nëse vonesa nuk është më e gjatë se 15 ditë. Në rast se vonesa është më e madhe, ndaj tyre përgatitet kallëzim penal sipas Kodit penal dhe dërgohet në Prokurorinë e Shtetit”, tha Buleshkaj.
Ai po ashtu ka thënë se gjatë vitit 2024, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka dorëzuar 42 kallëzime penale dhe informata në Prokurorinë e Shtetit, po ashtu ka shqiptuar edhe 40 vërejtje, kryesisht të lidhura me pasaktësi në deklarimin e pasurisë. Përveç këtyre, agjencia ka dorëzuar 1 kallëzim penale për konflikt interesi dhe ka inicuar 3 procedura kundërvajtëse në gjykatë për shkelje që lidhen me konfliktin e interesit.
Prokuroria ka ngritur disa aktakuza mbi bazën e kallëzimeve të dorëzuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, por një numër i madh i rasteve ende janë në shqyrtim. Është thelbësore që trajtimi i këtyre rasteve të jetë më i shpejtë dhe më efikas për të garantuar llogaridhënie dhe forcim të mekanizmave kundër korrupsionit”ka shtuar ai.
Sipas tij prokuroria ka ngritur disa aktakuza, por një pjesë e madhe e kallëzimeve ende janë në fazën e shqyrtimit. Proceset gjyqësore për disa nga këto raste janë në vazhdim.
“Shumica e kallëzimeve penale të dorëzuara nga Agjencia lidhen me pasaktësi në deklarimin e pasurisë, si dhe me shkelje të rregullave për konfliktin e interest”, tha Buleshkaj. /Indeksonline/