Rritja e çmimeve të produkteve bazike po vazhdon të rëndojë mbi qytetarët e Kosovës, në një kohë kur bllokimi i institucioneve ka hyrë në një fazë të re. Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka ngritur alarmin për gjendjen ekonomike në vend, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, përveç që po e mban të uzurpuar pushtetin qeveritar, po bllokon edhe Kuvendin, në kohën kur qytetarët po përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha ekonomike.
Në një konferencë për media, Mustafa tha se çmimet e produkteve bazike janë rritur ndjeshëm gjatë muajit prill, duke goditur çdo familje në vend.
“Të dhënat e muajit prill tregojnë për rritje dyshifrore të çmimeve të produkteve bazike, të cilat prekin çdo qytetar, çdo familje. Çmimet e produkteve si mishi, vajrat dhe yndyrat, pemët, si dhe kafja e çaji u rritën me nga 10 deri në 16.4%. Në anën tjetër, punëtorët, pensionistët dhe përfituesit e kategorive të ndryshme sociale vazhdojnë të mos kenë rritje të të hyrave. Pra, vazhdojnë të jenë të braktisur në kohën kur shpenzimet e jetesës çdo ditë e më tepër po bëhen më të papërballueshme”, theksoi Mustafa.
Sipas tij, përveç rritjes së çmimeve, ekonomia e vendit po përballet edhe me përkeqësim të deficitit tregtar, për shkak të rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve. Mustafa bëri të ditur se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, deficiti tregtar ka arritur në 1.4 miliardë euro.
Ai paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet më tej, si pasojë e vendimeve të qeverisë që, sipas tij, po i godasin rëndë bizneset vendore.
Vendimi për të nxjerrë bizneset në tregun e hapur të furnizimit me energji, pa asnjë masë përgatitore dhe pa u siguruar se do të ketë konkurrencë të mirëfilltë në tregun e furnizuesve të energjisë, pritet të rrisë me rreth 260% shpenzimet e furnizimit me energji për bizneset që kanë mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Një shtrenjtim kaq i madh i faturës së energjisë për disa biznese mund të nënkuptojë mbyllje të biznesit, ndërsa për një pjesë tjetër goditje të madhe në pozicionin konkurrues, duke i bërë eksportet e kompanive kosovare shumë më të shtrenjta dhe si pasojë, edhe më të pakta se që janë aktualisht. Më pak eksporte nga kompanitë kosovare do të thotë më pak vende pune në Kosovë, më pak të ardhura për familjet kosovare dhe më pak tatime të paguara për shtetin e Kosovës. Me një fjalë, kjo qeveri po e godet rëndë sektorin privat dhe me këtë po godet shtyllën kryesore të punësimit dhe të gjenerimit të të ardhurave për familjet kosovare”, tha ai.
Mustafa kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për, siç tha ai, mungesën e ndjeshmërisë ndaj gjendjes së rënduar ekonomike dhe krizës institucionale që po e pengon funksionalitetin e shtetit.
“Çdo ditë shtesë e kësaj bllokade po rëndon mbi të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës, si dhe mbi cilësinë e jetës së çdo familjeje në Kosovë. Prandaj, edhe sot i bëjmë thirrje partisë që ka dalë e para në zgjedhje të marrë përgjegjësinë që i takon për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe të hapë rrugë për krijimin e një qeverie të përgjegjshme që punon për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës”, përfundoi ai.